Xhaferi fton partitë shqiptare të lidhin besë për “Kryeministër shqiptar”

Nga selia e Bashkimit Demokratik për Integrim, Talat Xhaferi, bartës liste i integristëve në njësinë 5, u bëri thirrje të gjitha partive politike shqiptare që të formojnë një platformë a deklaratë të përbashkët, ku do të dakordoheshin se në përbërjen e ardhshme parlamentare do ta mbështesin atë shumicë që do ta pranojë idenë për kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Ne ofrojmë një kryeministër, një shqipar, jo me çdo çmim një kryeministër nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe kjo është një dorë e shtrirë veçanërisht ndaj partive të shqiptarëve që të qëndrojnë së bashku rreth kësaj ideje. Këtu ne sot dërgojmë një ofertë publike se heqim dorë nga ekskluziviteti i kësaj ideje. Le të formojmë një platformë të përbashkët, një deklaratë të përbashkët, të premtojmë, të japim besë para qytetarëve, që të gjithë ne, deputetë të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm, obligohemi se do ia japim mbështetjen asaj shumice në Kuvend që do e pranojë dhe zbatojë këtë ide. Kjo është ofertë serioze dhe vendim i guximshëm politik, por ju siguroj është mënyra më e mirë pët të kthyer besimin e shqiptarëve në poplitikë, tek ne politikanët, që pavarësisht nga mosmarrëveshjet tona, në momente kryesore për çështje kyçe të tregojmë se kemi kapacitetin dhe virtytin për tu bashkuar në interes të qytetarëve tonë” u shpreh Xhaferi, raporton TV21.