Xhaferi: Alfabeti i unifikuar do të vazhdojë të shkruhet e lexohet!

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka uruar festën e 22 nëntorit – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Xhaferi thekson se Alfabeti i unifikuar do të vazhdojë të shkruhet e lexohet.

“Me gëzim të veçantë dua t’ju uroj festën 22 Nëntori, Ditën e alfabetit shqip, që është vendosur sipas ditës kur është mbajtur Kongresi i Manastirit në të cilin intelektualë shqiptarë të tubuar nga të gjitha anët, pas një pune të palodhshme nëntëditore, dolën me dhuratën më të çmuar për një popull – Alfabeti i unifikuar i cili do të vazhdojë të shkruhet, lexohet dhe përhapet gjuha, kultura, zakonet, veçoritë dhe tradita folklorike e shkruar dhe kënduar, e cila deri atëherë përcillej me shkronja të huaja të gjuhëve të huaja. Dhurata është e madhe, mirëpo amaneti për të ruajtur atë dhuratë është edhe më i madh. Apeloj te të gjithë përfaqësuesit e diapazonit politik, institucionet që janë themeluar për të kujdesur për këtë dhuratë, te mediumet e shkruara dhe elektronike, te punonjësit administrativë, punonjësit në arsim, që me shembullin tonë të kontribuojmë në rritjen e gjeneratave të reja që do e duan, do e ruajnë, respektojnë dhe flasin gjuhën e standardizuar shqipe me gjithë bukurinë, pasurinë dhe veçantinë e vet dhe le të jetë kjo gjuha e ndërlidhjes dhe respektimit të ndërsjellë.

Bashkëqytetarë të mi të dashur shqiptarë, edhe njëherë urime festën e 22 Nëntorit”, shkruan kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në Facebook.