WP: SHBA-ja po përgatitet për operacione tokësore në Iran

Pentagoni po përgatitet për javë të tëra operacionesh tokësore në Iran, ka shkruar të shtunën Washington Post, duke cituar zyrtarë amerikanë.

Planet mund të përfshijnë bastisje nga Operacionet Speciale dhe trupat konvencionale të këmbësorisë, ka raportuar Washington Post.

Nëse presidenti amerikan, Donald Trump do të miratojë ndonjë nga këto plane mbetet e pasigurt, sipas WP-së.

Administrata Trump ka vendosur marinsat Amerikane në Lindjen e Mesme ndërsa lufta në Iran shtrihet në javën e saj të pestë, dhe gjithashtu ka planifikuar të dërgojë mijëra ushtarë nga Divizioni i 82-të Ajror i Ushtrisë Amerikane në rajon.

 

Diplomatë të lartë nga fuqitë kryesore rajonale janë mbledhur në Pakistan të dielën për të diskutuar mënyrat për t’i dhënë fund luftimeve në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli dhe SHBA-ja vazhduan sulmet ndaj Iranit dhe Teherani u përgjigj duke lëshuar raketa dhe dronë në të gjithë rajonin.

Pakistani ka thënë se ministrat e jashtëm nga Arabia Saudite, Turqia dhe Egjipti po merrnin pjesë në bisedimet në Islamabad. Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, ka thënë se ai dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian zhvilluan “diskutime të gjera” mbi armiqësitë në rajon.

Më shumë se 3,000 njerëz janë vrarë gjatë luftës njëmujore që filloi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke nxitur sulmet e Iranit ndaj Izraelit dhe shteteve arabe të Gjirit fqinj.

SHBA-ja dhe Izraeli nuk po marrin pjesë në bisedimet e Islamabadit. Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, i ka hedhur poshtë bisedimet si një mbulesë, ndërkohë që SHBA-ja po dërgon trupa shtesë në Lindjen e Mesme. Ai ka paralajmëruar kundër çdo pushtimi tokësor dhe ka shtuar se Irani është i gatshëm t’i “vërë flakën” trupave amerikane dhe të ndëshkojë aleatët rajonalë të SHBA-së, sipas mediave shtetërore iraniane.

Ndërkohë, Izraeli ka njoftuar për valë sulmesh nga Irani të dielën teksa shpërthime janë dëgjuar në të gjithë Teheranin.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, ai i Turqisë, Hakan Fidan, dhe Princi Faisal Bin Farhan i Arabisë Saudite po takohen në Islamabad si pjesë e bisedimeve të planifikuara disa ditë pasi SHBA-ja i ofroi Iranit një “listë veprimesh” me 15 pika si kornizë për një marrëveshje të mundshme paqeje.

Abdelatty ka thënë se takimet synojnë të hapin një “dialog të drejtpërdrejtë” midis SHBA-së dhe Iranit, të cilët gjatë luftës kanë komunikuar kryesisht përmes ndërmjetësve.

 

Mediat iraniane, përfshirë agjencinë zyrtare të lajmeve IRNA, kanë publikuar një mesazh nga kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, për të shënuar 30 ditë që nga fillimi i luftës.

Komentet e tij vijnë pas njoftimit të SHBA-së se rreth 3,500 personel kanë mbërritur në rajon me anijen luftarake USS Tripoli.

Në mesazh, Ghalibaf thotë se “armiku sinjalizon negociata publikisht, ndërsa në fshehtësi komploton një sulm tokësor”.

Ai ka shtuar se SHBA-ja, “me një listë me 15 pika, po paraqet dëshirat e saj dhe po ndjekë atë që nuk po e arrin në luftë”.

Ghalibaf ka thënë gjithashtu se forcat iraniane po “presin që ushtarët amerikanë të hyjnë në tokë në mënyrë që të mund të qëllojnë me zjarr mbi ta”.

Lidhur me e dorëzimit të Iranit, Ghalibaf ka thënë në arabisht se mesazhi i Iranit është “i qartë” dhe se nuk do të pranojë “poshtërim”.

Gazeta “Washington Post” ka raportuar të shtunën se Pentagoni është duke u përgatitur për operacione tokësore në Iran.

Raporti vjen teksa presidenti amerikan, Donald Trump, këmbëngul se janë rrugës për realizimin e objektivave të luftës ndaj Iranit.

Mirpëo, sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka deklaruar të premten se SHBA-ja mund të arrijë qëllimet e saj në Iran “pa trupa tokësore”.