Wizz Air ofron 100 mijë ulëse të lira për refugjatët ukrainas

Kompania ajrore, WizzAir ka njoftuar se do të ofrojë 100 mijë ulëse të lira për refugjatët ukrainas për fluturime në distanca të shkurtra.

Linja ajrore me bazë në Hungari ka thënë në rrjetet sociale se është e “përkushtuar” për t’iu ndihmuar refugjatëve ukrainas për të arritur në destinacionet e tyre.

Fluturimet do të jenë të mundshme për nisje nga Polonia, Sllovakia, Hungaria dhe Rumania gjatë muajit mars, ka thënë kompania.

Më shumë se 660,000 persona janë larguar nga Ukraina prej nisjes së sulmit rus, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.

Polonia ka raportuar për fluksin më të madh.

Vlerësohet se 450,000 refugjatë kanë arritur në Poloni, ka thënë zëvendësministri i Brendshëm polak, Pawel Szefernaker, për radion private Zet.

 

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.