West Hami dorëzohet në “Anfield”, Liverpooli “rul” që shtyp çdo kundërshtar

Liverpooli një makineri që nuk di të ndalet ndalet në Premier Peague. “Viktima” e radhës për të “The Reds” ishte West Hami, që u mposht 3-2 në “Anfield”.

Ndeshja nisi me ritëm të jashtëzakonshëm. Që në minutën e 9-të, Wijnaldum i dha epërsinë Liverpoolit me një goditje të saktë të topit me kokë. Sidoqoftë, miqtë nuk u stepën nga goli i pësuar, pasi në minutën e 12-të Diop, po me një gjuajtje të saktë me kokë ktheu ekuilibrat në rezultat.

Në pjesën e dytë, West Hami i surprizoi “The Reds” në minutën e 54-t me Fornales, që bëri të heshtte “Anfield”. Pas këtij momenti, ndeshja foli për vendësit, që ushtruan presion të vazhdueshëm, derisa barazuan me Mohamed Salah në të 68-ën, falë edhe një pasigurie të portierit mik.

Por nuk do të mbaronte me kaq, pasi në minutën e 81-të, pas krosimit të Alexander-Arnold, Mane me portën bosh, do të shënonte golin e tretë. Manesë, pak minuta më vonë iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, ndërsa ndërsa Alisson në minutat e fundit kreu një pritje vendimtare, duke shmangur barazimin e miqve.

Kjo ishte fitorja e 26-të e Lverpoolit në Premier League, sukses që e afron edhe me tepër me titullin kampion, që tashmë mbetet thjesht një formalitet.