Wesley Clark për masakrën e Reçakut: Kishte rrezik që Millosheviqi t’ia linte fajin UÇK-së

Duke folur për dezinformimin gjatë periudhës së luftës, gjenerali Wesley Clark tha se ndërkombëtarët nuk dëshironin që për Masakrën e Reçakut të kryenin hetime njerëzit e Sllobodan Millosheviqit.

Clark tha se arsyeja e kësaj ka qenë sepse kishte rrezik që Millosheviq mund t’i tjetërsonte provat dhe ta krijonte situatën të dukej sikur ngjarja është kryer nga UÇK-ja.

Dëshmitari pohoi se në atëkohë, komuniteti ndërkombëtar donte që këtë rast ta hetonte Tribunali Penal për Ish-Jugosllavinë (TPNJ).

“Arsyeja që ndërkombëtarët nuk kanë dashur që njerëzit e Millosheviqit të bënin hetime të asaj se çfarë ka ndodhur në Reçak ishte se kishte rrezik që mund të tjetërsoheshin provat dhe do bëhej situata ku pretendohej se ngjarja është shkaktuar nga UÇK-ja”, lexoi fillimisht deklaratën e dëshmitarit, avokati Aiden Ellis i cili përfaqëson Jakup Krasniqin.

Ndërsa, dëshmitari e pohoi një gjë të tillë, duke thënë se këtë e kishte bërë edhe më herët Millosheviqi.

“Ideja kryesore ishte që Millosheviqi të mosdezinformonte më siç kishte bërë më herët dhe të mundohej që të manipulonte situatën”, tha dëshmitari.

Clark kishte thënë se gjatë luftës kishte dhënë vazhdimisht intervista dhe bënte deklarata duke e lavduar UÇK-në si një forcë e mirëorganizuar. Por, Clark kishte thënë se situata nuk ishte kështu. Tha se audienca e synuar e tij ishte Sllobodan Millosheviqi pasi e dinte se e dëgjonte.

“Audienca e synuar e komenteve të mia ishte Millosheviqi. E dija që ai me dëgjonte dhe dëshiroja që të projektoja këtë lloj force ndaj Millosheviqit në mënyrë që ai të nxitohej për sa i takon dorëzimit të tij”, kishte thënë Clark duke shtuar se deklaratat e tij nuk ishin vlerësime të NATO-s sa i përket kapaciteteve të UÇK-së.

Dëshmitari tha se është normale që të përdoren deklaratat politike në një situatë konflikti./Betimi për Drejtësi