Administrata e presidentit Donald Trump ka shpallur një emergjencë për të anashkaluar Kongresin dhe për të miratuar më shumë se 23 miliardë dollarë shitje armësh për aleatët në Lindjen e Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Jordaninë.
Sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit, Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka argumentuar se ekziston një emergjencë që kërkon miratimin e menjëhershëm të transferimeve të armëve për partnerët në rajon që janë aktualisht nën sulm nga Irani.
Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër që administrata përdor këtë mekanizëm për të shmangur procesin e zakonshëm të miratimit nga Kongresi, raporton New York Times.
Më herët, një emergjencë e ngjashme u shpall për të lejuar shitjen e mbi 20 mijë bombave për Izraelin pas nisjes së sulmeve të përbashkëta me SHBA-të ndaj Iranit.
Edhe pse ky veprim lejohet nga ligji për kontrollin e eksporteve të armëve, përdorimi i tij është i rrallë dhe zakonisht shmang rolin mbikëqyrës të Kongresit në miratimin e këtyre marrëveshjeve.
Paketa e re përfshin 11 kontrata armësh. Për Emiratet parashikohen helikopterë Chinook, dronë, raketa Patriot dhe sisteme të tjera mbrojtëse, ndërsa Kuvajti pritet të blejë pajisje të mbrojtjes ajrore dhe raketore. Për Jordaninë janë planifikuar përmirësime për avionët luftarakë F-16.




