Washingtoni armatos Tiranën me një paketë prej 302 milionë dollarësh

Qeveria shqiptare ka miratuar në parim një marrëveshje huaje me vlerë 302 milionë dollarë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit amerikan të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF), një lëvizje që synon të përshpejtojë modernizimin e Forcave të Armatosura.

Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe parashikon nënshkrimin e një marrëveshjeje direkte ndërmjet Ministrisë së Financave të Shqipërisë dhe Agjencisë Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA).

Sipas dokumentit, huaja arrin në 302 milionë dollarë dhe do të përdoret në kuadër të projekteve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Washington, ku u takua me drejtoren në detyrë të DSCA-së, Mary Beth Morgan.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në takim u diskutua avancimi i projekteve me interes të përbashkët dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Në vizitën time në Uashington u takova me Mary Beth Morgan, drejtoreshë në detyrë e Agjencisë për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes, me të cilën diskutuam avancimin e projekteve me interes të përbashkët. Partneriteti ynë strategjik me Shtetet e Bashkuara mbetet një shtyllë kyçe për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e kontributit të vendit tonë në NATO”, deklaroi Nufi.

Vizita e ministrit në SHBA u zhvillua në kuadër të 25-vjetorit të partneritetit mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të New Jersey-t, një bashkëpunim që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve.

Megjithëse qeveria nuk ka bërë ende publike detaje mbi sistemet apo pajisjet që do të financohen përmes kësaj huaje, marrëveshja konsiderohet një hap i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave të NATO-s për rritjen e kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë dhe modernizimin e armatimeve të saj.