Asamblistët e Vetëvendosjes në Prishtinë kanë dorëzuar në hetuesi pretendime të tjera për legalizime të paligjshme në kryeqytet.
Sipas shefit të asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, bëhet fjalë për materiale që janë pranuar nga një sinjalizues anonim, e që thotë se është punëtor i Komunës.
Në një deklaratë për mediat, pas dorëzimit të materialeve në polici, Sveçla ka thënë se në to “përmenden emra të bizneseve, të zyrtarëve dhe shkeljeve ligjore që kanë ndodhur gjatë këtij procesi”.
“Legalizimi është i rregulluar me ligj dhe objektet e legalizuara kanë deficite ligjore, që një pjesë e tyre janë edhe në pronë publike… Ka edhe raste kur objektet janë ndërtuar pas vitit 2018, kur ka hyrë në fuqi ligji për trajtimin e objekteve pa leje. E kemi vlerësuar si shumë të rëndësishme që lëndët si parashtresë t’ua bashkëngjisim hetuesve që po e hetojnë rastin nga kallëzimi penal që e kemi bërë më 30 korrik”, ka thënë Sveçla. “Pos legalizimeve, materialet përmbajnë edhe një varg pretendimesh të tjera, që sipas sinjalizuesit kanë ndodhur në Komunë, me shkelje ligjore, nga transferet e shumave të mëdha që kanë ndodhur nga Kosova në Britani, e për të cilat sipas pretenduesit, autoritetet britanike veçse kanë nisur hetimet dhe e njëjta thuhet edhe për autoritetet e Kosovës”.
Më 30 korrik, kjo parti pati dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për pretendime të ngjashme. Sipas Sveçlës, pas kallëzimit penal më 3 gusht është bërë kërkesë për qasje në dokumentet publike për dosjet në fjalë. E sipas tij, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, qysh atë ditë i ka marrë dosjet në zyrën e vet.
“Kjo vërtetohet lehtësisht, duke kërkuar nga punëtorët që i kanë dorëzuar te Rama. E më 5 gusht, zoti Rama në objektet e departamentit të legalizimeve ka mbajtur mbledhje të mbyllur, ku ka qenë shefi i tij i kabinetit, Florent Maliqi, dhe zyrtarja që i ka trajtuar këto lëndë problematike”, ka thënë Sveçla.
Sveçla tutje ka thënë se kjo çështje s’duhet ndarë nga “mendësia qeverisëse që ka instaluar Përparim Rama në kryeqytet”.
Ai ka thënë se Prishtina po plaçkitet.



