VV dhe Lista Serbe, të vetmet parti që po kundërshtojnë gjendjen e jashtëzakonshme

Një propozim i tillë ka hasur në kundërshtimin e fuqishëm të Vetëvendosjes, që bashkë me Listën Serbe janë dy subjektet e vetme që kanë dalë kundër këtij vendimi.

Një qëndrim të tillë e konfirmoi edhe zëvendëskryeministri nga radhët e VV-së, Haki Abazi.

Ai mbrëmë me  anë të një postimi në Facebook, tha se gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë, është një vendim sipas tij qëllimkeq dhe kundër qeverisë së udhëhequr nga Kurti.

“Tentimi për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme përkundër masave dhe veprimeve të shkëlqyeshme të qeverisë, është qëllimkeq dhe në vazhdimësinë e obstruksioneve kundër qeverisë Kurti”, shkroi ndër të tjera Abazi.

Abazi edhe mbrëmë gjatë një konference për media konfirmoi qëndrimin edhe të shefit të tij në qeveri, Albin Kurti se një masë e tillë në këtë periudhë sipas tyre është e panevojshme.

 

Në një vijë me qëndrimin e VV-së është edhe Lista Serbe. Ata sot me anë të një komunikate për media thanë se janë të shqetësuar me planet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të hedhë poshtë vendosmërisht këto paralajmërime, ndërsa shtetit tonë Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq që në komunikimet me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë që të reagojë ndaj paralajmërimit të Thaçit, që ka shkaktuar shqetësim të madh ndër qytetarët tanë, të cilët edhe ashtu janë nën tension për shkak të pandemisë së koronavirusit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Listës Serbe.

 

Kundërshtimin e VV-së nuk po e përkrah as partneri i saj i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së, njëherit edhe ministër i Punëve të Brendshme tha mbrëmë se gjendja në Kosovë është e rëndë, dhe se duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

“Nuk është këtu çështja këtu a jemi më kryeministrin a presidentin por duhet të jemi sa më të organizuar, nuk është koha e kapriceve se a duhet të dominojë mendimi i tij apo i këtij, sepse ne jemi në shërbim të Kosovës. Po duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, tha mbrëmë Veliu.

 

Propozimin e presidentit Thaçi e ka përkrahur edhe Partia Demokratike e Kosovës. Kryetari i saj, Kadri Veseli në një konferencë për media që e pati sot, tha se masat e tilla, duke parë gjendjen në Kosovë, janë të domosdoshme.

Pa qëndrim lidhur me situatën në fjalë është ende Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mirëpo që zyrtarë të saj nuk e kanë kundërshtuar këtë nismë të presidentit.

Ndërkaq nga Kuvendi i Kosovës kanë bërë të ditur se nuk ka arritur ende dekreti i presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.