“VV dhe LDK kanë përgjegjësi morale ndaj votuesve të krijojnë marrëveshje”

Po ashtu të hënën presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do ta presë në takim kreun e Vetëvendosjes Albin Kurtin për ta propozuar kandidatin për kryeministër për formimin e qeverisë së re.

Njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu, duke i komentuar zhvillimet e fundit mes LDK-së dhe LVV-së, për “Zërin” ka thënë se ende ekzistojnë gjasa reale që koalicioni mes dy partive të ndodhë. Kjo pasi, sipas Baraliut, nuk ekziston skenar tjetër i mundshëm në tavolinë.

“Mendoj që ende ekzistojnë gjasat që koalicioni LDK – LVV të arrihet. Për më tepër tani pas konstituimit të Kuvendit nuk do të duhej të kishte as pikë zero e as kthim mbrapa, por tanimë raportet janë më të qarta dhe ekziston mundësia që të dyja palët t’i baraspeshojnë realisht synimet dhe kërkesat e tyre për përgjegjësitë e tyre. Do të ishte jobalancuese dhe asimetrike që edhe kryetari i Kuvendit, edhe nënkryetari i parë dhe presidenti t’i shkonin njërit subjekt dhe subjekti tjetër të marrë vetëm pjesën tjetër”.

Sipas tij, për arritjen e këtij koalicioni kanë vendosur qytetarët e Kosovës më 6 tetor të vitit të kaluar dhe çdo veprim kundër këtij skenari nga cilado parti dëmton rëndë interesat e qytetarëve.

“Marrëveshja do të duhej të lidhej, mendoj që tashmë është e qartë që pa një marrëveshje për koalicion jo vetëm që do të zhgënjehej populli i Kosovës, por të dyja këto subjekte thjesht kanë përgjegjësi morale ndaj votuesve të tyre që ta arrijnë këtë marrëveshje”.