Albin Kurti ka edhe 11 ditë kohë nga kushtetuta si i mandatuar nga partia fituese e zgjedhjeve për formimin e qeverisë.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë kohë vetëm deri të hënën Lëvizjes Vetëvendosje të pranojë ofertën e tyre për bashkëqeverisje.
Posti i Kryeparlamentarit që tashmë ushtrohet nga Glauk Konjufca do t’i takonte Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe gjithashtu LDK kërkon që Konjufca të shkarkohet.
E Vetëvendosje ka ofruar rritje të numrit të ministrive vetëm e vetëm që Konjufca të mos shkarkohet ose dorëhiqet nga posti i kryeparlamentarit.
Këto pozicione polarizuese sipas njohësit të çështjeve politike, Shkodran Ramadani, nuk mund të prodhojnë koalicion qeverisës.
Sipas tij, partitë duhet të lëshojnë pe. Ramadani sha se Vetëvendosje do të duhej ta largonte Konjufcën ndërsa LDK do të duhej të ishte fleksibile për presidentin.
“Të dy partitë do duhej të lëshonin pe më shumë për shkak që kërkesat të dyja i kanë shumë ekstreme dhe për t’u arritur çfarëdo marrëveshje duhet të lëshohen pozicionet dhe të gjindet mesi. Vetëvendosja do të duhej ta largonte Konjufcën dhe t’ia jepte LDK-së kryeparlamentarin, por LDK do të duhej të ishte më fleksibile për presidentin”, tha Ramadani për lajmi.net.
Sipas Ramadanit duhet një format i ri i marrëveshjes sepse dokumentet-ofertë aktuale nuk prodhojnë marrëveshje.
“Është në rregull të dihet cilin kandidat do ta votonin VV dhe partite tjera për president sepse nuk mund të premtohet vota blanko për dikë për postin e presidentit dhe pastaj ministritë që ende nuk dihet qysh e çka. Lëvizja Vetëvendosje tek ministritë dhe kryeparlamentari ndërsa LDK tek posti i presidentit. Sepse kështu si janë nuk bëhet, nevojitet një format i ri i marrëveshjes. Këto dy dokumente që janë si oferta nuk prodhojnë marrëveshje dhe do t’i kalojnë afatet kushtetuese”, tha Ramadani për lajmi.net.
Sipas Ramadanit, nëse Kurti e hargjon afatin e paraparë kushtetues, LDK mund të provojë formimin e qeverisë së pari me Vetëvendosjen, por pastaj do të tentojë edhe me AAK-në, Nismën dhe AKR-në.