Vullkani nxjerr hi, mbyllen shkollat në Meksikë

Maskat janë të obligueshme sepse ajri është çdo herë e më i papastër. Kjo pasi që një re hiri ka mbuluar Atlixcon e Meksikës, pas një jave aktivitet nga vullkani që gjendet pranë qytetit.

Kështu qeveria meksikane ngriti nivelin e alarmit dhe i mbylli shkollat në dhjetëra komuna. Mjegulla vullkanike ka zvogëluar dukshmërinë, derisa për më shumë se një javë llavat në juglindje të qytetit kanë qenë gjithnjë e më shpërthyese, duke nxjerrë shtëllunga të mëdha gazi e hiri në ajër, njofton Klan Kosova.

Të dielën sistemi paralajmërues për rrezikun e vullkanit ishte ngritur në fazën 3. Departamenti i Mbrojtjes së Shtetit njofoti gatishmërinë për të aktivizuar 6,500 trupa në rast nevoje, derisa u tha se po përgatiteshin edhe strehimoret.

Rreth 25 milionë njerëz jetojnë brenda një rrezeje prej 100 kilometrash, shumica e atyre në zonën metropolitane të Mexico City. Vullkani u aktivizua në vitin 1994 dhe pati periudha më të mëdha aktiviteti nga 2000 në 2003 dhe 2012 në 2016.