Ish-drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, ka thënë se kryetari i Partisë Republikane, Nikola Sanduloviq është ndaluar me urdhër të tij, i cili ka mbetur në fuqi edhe pas dorëheqjes së tij.
Sanduloviq u ndalua të mërkurën nga BIA. Ai është rrahur brutalisht dhe aktualisht po trajtohet në një spital ushtarak.
“Sanduloviq u ndalua sipas urdhrit tim, i cili mbeti në fuqi edhe pas dorëheqjes sime. Ai u ndalua me dyshimin se ka cenuar rendin kushtetues dhe duke punuar aktivisht për të mbështetur shkëputjen e Kosovës”, tha për Novosti ish-drejtori i BIA-s, i cili dha dorëheqje pasi u fut në listën e zezë të SHBA-së.
Ai shtoi se Sanduloviqi “duke vendosur një kurorë në varrin e vrasësit të serbëve, Adem Jasharit, Sanduloviq është ndaluar me urdhër timin dhe të prokurorit”, citon politika.
Vulin shtoi se “nëse Sanduloviq do të kishte vendosur një kurorë në varrin e Himmlerit, Mossad do ta kishte vrarë atë, nëse do të kishte vendosur një kurorë në varrin e Osama bin Ladenit, CIA do ta kishte vrarë atë. I kërkoj falje Serbisë që nuk mund të bëj asgjë më shumë. Nuk e di se për cilët tradhtarë të tjerë janë aktiv urdhrat e mi të arrestit dhe t’i sjell para prokurorëve kompetentë, por është mirë që tradhtarët të kontrollojnë vetë, shpresoj që urdhrat të mos jenë hequr”.