Vuçiqi thotë se përkrahja për SHBA-në në Serbi është rritur gjatë mandatit të Trumpit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerëson se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë pasur një transformim dramatik me ardhjen e Donald Trumpit në postin e presidentit në SHBA.

Në një intervistë ekskluzive për “Fox News Digital”, Vuçiq ka përgëzuar qasjen e Trumpit në Ballkan.

“Presidenti Trump dhe ekipi i tij deri më tash kanë punuar me shumë zell dhe përkushtim për Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq. “Nëse i pyesni njerëzit në Serbi të bëjnë krahasim mes administratës së Clintonit dhe asaj të Trumpit, ose mes demokratëve dhe republikanëve, nuk do ta besonit rezultatin. Do të ishte 90 me 10 apo 95 me 6”.

Vuçiqi tha se i ka bërë ftesë presidentit të SHBA-së që ta vizitojë Serbinë.

“Shpresoj ta kemi mundësinë ta presim…Guxoj madje të them se do të jenë më shumë se qindra-mijëra njerëz”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiqi është pyetur nëse do të merrte në konsideratë njohjen e Kosovës, nëse kjo do ta ndihmonte të ardhmen ekonomike të Serbisë dhe do ta përshpejtonte rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, ai e kundërshtoi këtë premisë dhe tha se bashkëpunimi ekonomik dhe përmirësimi i marrëdhënieve duhet të vijnë përpara diskutimeve mbi statusin politik.

“Nuk po them se jam i gatshëm ta shkeli Kushtetutën time…Unë kam qenë gjithmonë i hapur për bisedime ose zgjidhje kompromisi, kam qenë i hapur për zhvillimin e lidhjeve të shkëlqyera ekonomike dhe pa dyshim të marrëdhënieve politike shumë të mira. Por, nuk po flisja për njohjen e pavarësisë së dikujt”, tha Vuçiq.

Vuçiqi është pyetur edhe për lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën.

I pyetur nëse mund ta vazhdojë balancën mes Lindjes dhe Perëndimit në një botë gjithnjë e më të ndarë apo nëse përfundimisht duhet të zgjedhë një anë, Vuçiqi e hodhi poshtë idenë se vendet duhet të zgjedhin.

Ai foli për vizitën e tij në Kinë dhe e përmendi edhe vizitën që Donald Trump ia bëri Pekinit. Tha se janë shembuj të “diplomacisë pragmatike”.

“Trump mori me vete të gjithë njerëzit kryesorë të Shteteve të Bashkuara për të krijuar mundësi më të mira biznesi dhe për të siguruar më shumë fitime për kompanitë e tyre”, tha Vuçiq.

Ai tha se ndoqi qasje të ngjashme edhe gjatë vizitës që ia bëri vetë Kinës.

“Unë vij nga një vend i vogël. Kërkova më shumë investime dhe luftova për interesat e popullit tim”.

Vuçiq është krenuar edhe me bashkëpunimin e tij me Izraelin.

“Unë jam president i një shteti që është një prej shteteve të rralla në Evropë që nuk heziton të bashkëpunojë me Izraelin. Dhe që është krenar ta thotë këtë hapur dhe publikisht.