Nuk dihet nëse e shmangu qëllimshëm shikimin drejt monumentit gjigant.
Por, Aleksandar Vuçiq me shumë gjasë është në fotografi të përbashkët me komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që këtu në Elbasan gjendet në bust të madh.
Presidenti i Serbisë ishte mysafir, të hënën mbrëma, në një kompleks hotelier, që e mban lapidarin e heroit nga Kosova.
Si mysafir i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, këtu me kryeqeveritarin verimaqedonas, Zoran Zaevin, ai u zotua të vazhdojë me projektin e ‘Ballkanit të hapur’.
Por, hija e Kosovës dhe krimeve të kryera aty gjatë luftës e ndoqi serbin për dy ditë sa qëndroi në Shqipëri.
Kundër tij dhe Ramës si nikoqir, ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, të hënën, mblodhi disa mijëra përkrahës në Tiranë.
Në disa raste u dogj flamuri i Serbisë.
E dikush e rrezikoi edhe jetën për ta shkulur atë nga shtyllat, ku u vendos nga organizatori.
Kësisoj shërbimet e pastrimit patën goxha punë për largimin e mbetjeve të simbolit serb.
Kjo derisa shumë të tjerë mbetën të paprekur.
Karshi këtyre zhvillimeve, Vuçiq u shfaq i përmbajtur, derisa u kthye me përcjellje në hotelin Rogner në Tiranë.
Madje, të martën, kur u pyet për protestat, e lavdëroi shumë qeverinë shqiptare për arrestimin e protestuesve të dhunshëm.
Ndërsa vetë tubimin e cilësoi si përplasje midis liderëve të dy blloqeve opozitare.
Por, as në këtë vizitë nuk shpëtoi pa pyetjen e rregullt nëse do të kërkojë falje për krimet e luftës, ani se përgjigjen e ka të njëjtë.
Atë sërish ia bëri Klan Kosova dhe ish-ministri i pushtetit të Sllobodan Milosheviqit është i vetëdijshëm për insistimin.