Vuçiq: Formimi i Asociacionit në Kosovë, me rëndësi prioritare

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kërkesa për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një postim në Instagram, teksa njofton se ka zhvilluar një takim me ambasadorin e SHBA në Serbi, Christopher Hill, ku është diskutuar për raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel, Vuqiç shkruan se formimi i Asocacionit është “me rëndësi prioritare”.

Megjithatë, Vuçiq  thekson se duhet më shumë përpjekje dhe diskutime për të zgjidhur problemet e akumuluara.

Ramë dakord që formimi urgjent i Bashkësisë së Komunave Serbe është i një rëndësie prioritare, por edhe se duhet shumë përpjekje, punë dhe diskutime për të zgjidhur problemet e akumuluara në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë dhe Metohi”, ka shkruar Vuçiq.

Të hënën (27 shkurt) u zhvillua një takim i nivelit të lartë për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE, diskutime që zgjatën mbi 5 orë. Pavarësisht progresit të arritur, sërish palët nuk arritën në një marrëveshje përfundimtare.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë konferencës për shtyp pas takimit me Vuqiç e Kurtin, tha se palët u zotuan që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel dhe se nuk nevojiten diskutime tjera sa i përket propozimit të BE-së për planin franko-gjerman.