Vritet një grua në Kosovë, dyshohet se është ekzekutuar nga djali i saj

Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi se në orët e hershme të mëngjesit është informuar se në fshatin Restelicë të Dragashit, është vrarë një grua. Dorasi, sipas autoriteteve, dyshohet se është djali i viktimës.

“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se rasti ka ndodhur brenda familjes. I dyshuari, F.B., dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij, T.B., duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre në fshatin Restelicë”, u tha në njoftim.

Prokuroria tha se bazuar në të dhënat zyrtare të saj, dorasi ka pasur çrregullime mendore.

Ai, sipas këtij institucioni, kishte të kaluar kriminale, pasi ndaj tij kishte pasur tri dënime për dhunë në familje.

“Një rast është trajtuar gjatë vitit 2024, ndërsa dy raste gjatë vitit 2021. Për këto raste, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ka ngritur aktakuza dhe për të njëjtat raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese”, tha Prokuroria Themelore në Prizren.

Autoritetet thanë se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkaq po vazhdojnë hetimet për të zbuluar rrethanat dhe shkakun e vrasjes.

Megjithatë, në njoftimin e autoriteteve nuk është bërë e ditur nëse dorasi është arrestuar apo gjendet në arrati.

Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Ekspertët e sistemit të drejtësisë në Kosovë kanë argumentuar se institucionet nuk po trajtojnë me seriozitet personat me të kaluar kriminale.

Dënimet e lehta, sipas tyre, po i “trimërojnë” ata që të vazhdojnë veprimtarinë kriminale./REL (A2 Televizion)