Vritet djali i udhëheqësit të Hamasit që negocionte me bordin e udhëhequr nga Trumpi

Është vrarë nga një sulm ajror izraelit djali i kryenegociatorit të Hamasit në bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja mbi të ardhmen e Gazës, ka thënë të enjten një zyrtar i lartë i Hamasit, ndërsa udhëheqësit e grupit militant zhvilluan bisedime në Kajro që synonin ruajtjen e armëpushimit të tyre me Izraelin.

Azzam Al-Hayya, djali i Khalil Al-Hayya, ka vdekur nga plagët e marra të enjten pas sulmit izraelit të mërkurën në mbrëmje, ka thënë zyrtari i lartë i Hamasit, Basim Naim. Ai është djali i katërt i udhëheqësit të Gazës në mërgim të Hamasit që është vrarë në sulmet izraelite.

Hayya, i cili ka shtatë fëmijë, i ka mbijetuar disa përpjekjeve izraelite për ta vrarë. Një sulm izraelit në Doha vitin e kaluar që synonte udhëheqjen e Hamasit vrau djalin e tij, megjithëse Hayya mbijetoi.

Dy djem të tjerë u vranë në përpjekjet e mëparshme izraelite kundër tij, në sulmet në Gazë në 2008 dhe 2014.

Duke folur për Al Jazeera pas sulmit të mërkurën në mbrëmje, përpara se të njoftohej vdekja e djalit të tij, Hayya akuzoi Izraelin se po përpiqet të minojë përpjekjet e ndërmjetësve për të çuar përpara planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Gazën, i mbikëqyrur nga i ashtuquajturi “Bordi i Paqes”.