Dy vëllezër të moshës madhore janë vrarë me armë zjarri të enjten në një fshat të Malishevës, konfirmuan autoritetet në Kosovë. Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë se dorasi i dyshuar kishte të kaluar kriminale dhe më herët gjatë vitit kishte qenë në paraburgim.
“Prokurori i Shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., më 06.04.2025 është paraqitur me kërkesë të caktimit të paraburgimit, e cila po të njëjtit i është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu, më 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I., për veprat penale ‘dhunë në familje’ dhe ‘kanosje’”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.
Ndërkaq, sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, autoritetet ende nuk e dinë saktësisht motivin e vrasjes së dyfishtë.
“Kemi të bëjmë me një vrasje të rëndë, të dyfishtë. Kryerësi i kësaj vepre penale është ende në arrati dhe policia, në bashkëpunim me prokurorinë, po ndërmarrin të gjitha masat që sa më shpejt të identifikohet dhe të sigurohet prezenca e tij”, tha prokurori Gashi gjatë një prononcimi për media.
Ai konfirmoi se dorasi i dyshuar dhe viktimat kanë raporte familjare.
“Tani për tani s’mund të japim informacione shtesë sepse duhet të bëjmë verifikimin e këtyre informatave dhe më pas do të dalim me një njoftim zyrtar që informatat të jenë sa më të sakta. Ajo që mund të them është se viktimat dhe i dyshuari kanë raporte familjare, por motivin ende nuk e dimë saktësisht”, theksoi ai.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi, i tha Radios Evropa e Lirë se i dyshuari i kishte qëlluar ata me armë zjarri të enjten pak para mesditës në fshatin Golluboc të Malishevës, në pjesën qendrore të Kosovës.
Ata janë dërguar më pas në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin e afërt, Kijevë, ku mjekët konstatuan vdekjen e tyre.
“Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes”, tha Elezi.
Ndërkaq, drejtori i policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, tha më herët gjatë ditës për mediat lokale se dorasi i dyshuar është dhëndri i viktimave.
Ai shtoi se motivet e vrasjes së dyfishtë besohet se kanë të bëjnë me “një fjalosje mes tyre”.
Vrasja e tyre vjen pak muaj pasi në pjesë të ndryshme të vendit ndodhën pesë vrasje vetëm në muajin gusht.
Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë bërë thirrje disa herë që shteti të bëjë më shumë për konfiskimit të armëve të jashtëligjshme, pasi argumentojnë se ato mund të gjenden lehtë në tregun e zi.
Ata, po ashtu, kërkojnë rritjen e operacioneve policore, për të ulur numrin e incidenteve të armatosura.




