Dominic Raab ka thënë se Britania e Madhe është “në të njëjtën anë” me SHBA-në në lidhje me vrasjen e së premtes të gjeneralit iranian Qassem Suleimani.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, një deklaratë të tillë, sekretari i Jashtëm britanik e ka bërë mes pyetjeve të vazhdueshme në lidhje me arsyetimin legal për veprimet e fundit të SHBA-së.
Në këtë kontekst, Raab për Sky Neës ka thënë: “Le të jemi shumë të qartë: ai ishte një kërcënim rajonal, dhe ne e kuptojmë pozicionin në të cilin u gjendën amerikanët, dhe ata kanë të drejtë të ushtrojnë vetëmbrojtje. Ata kanë shpjeguar bazën në të cilën është bërë”.
Sekretari i Jashtëm gjithashtu ka thënë se ai ka folur me presidentin dhe kryeministrin irakian dhe homologët francezë dhe gjermanë që nga vrasja, dhe përqendrimi i Britanisë së Madhe ka qenë në rivendosjen e qetësisë, dhe mbrojtjen e trupave dhe qytetarëve të saj në rajon.
“Ne po kërkojmë të mos ketë eskalim të situatës dhe stabilizim të saj dhe kjo është diçka për të cilën kemi biseduar me miqtë tanë evropianë dhe amerikanë”, ka thënë ai.
“Askush nuk e dëshiron dhe unë nuk mendoj se dikush përfiton nga një luftë në Lindjen e Mesme. Të vetmit njerëz që do të përfitonin do të ishin terroristët, dhe Daesh në veçanti, dhe kështu ne do të punojmë me të gjithë partnerët tanë, partnerë amerikanë dhe evropianë dhe ata në rajon, për të përcjellë këtë mesazh”.
Raab ka konfirmuar se do të takohet me sekretarin e shtetit të SHBA, Mike Pompeo, në Uashington këtë javë, në një vizitë që ai tha se tashmë ishte planifikuar.
Por i pyetur nëse ai do të dërgonte një “mesazh të ashpër” për Pompeo dhe shefin e tij, Donald Trump, Raab tha: “Ne jemi në të njëjtën anë me partnerët tanë amerikanë; ne do të vazhdojmë të flasim me ta”.