Halil Geci ka reaguar me një deklaratë të ashpër politike, duke e cilësuar ardhjen e mërgatës në Kosovë si një moment vendimtar për ndryshim demokratik.
Në reagimin e tij në Facebook, ai thekson se pjesëmarrja masive e mërgimtarëve në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit nuk është thjesht një kthim simbolik në atdhe, por një akt i drejtpërdrejtë kundër, siç e quan ai, keqqeverisjes, korrupsionit dhe “kastës së vjetër politike” që sipas tij e ka mbajtur Kosovën peng për dy dekada.
Geci e paraqet këtë mobilizim si një përballje morale dhe politike, ku vota e qytetarëve dhe e mërgatës synon të sjellë llogaridhënie dhe drejtësi, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Mërgata mobilizohet për ta goditur në adresën e duhur: Vota e saj do t’i jap fund keqqeverisjes
Mërgata zbret në Kosovë për ta rrëzuar me votë kastën e vjetër të plaçkitjes
E vërteta nuk është abstrakte. Ajo ka adresë, ka kohë dhe ka emër. Sot, ajo po ngrihet mbi qiellin e Kosovës me qindra aeroplanë dhe mijëra kilometra udhëtim. Po vjen nga Amerika, Australia dhe nga çdo cep i botës, duke sjellë në atdhe mërgimtarët që zbresin në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” me një mision të qartë: ta godasin me votë hajninë, plaçkitjen dhe keqqeverisjen 20-vjeçare që e ka mbajtur Kosovën peng.
Ardhja masive e mërgimtarëve nuk është thjesht një kthim sezonal. Është një akt politik dhe moral. Ata po vijnë me makina dhe autobusë, si krushq të lirisë, për ta shpëtuar Kosovën nga kthetrat e hajdutëve dhe tradhtarëve, prej të cilëve shteti ynë ka pësuar dëme të pariparueshme.
Më 28 dhjetor, gjatë gjithë ditës, do të ndodhë përballja vendimtare. Strukturat e gangsterizmit politik, të përfaqësuara nga parti të ndryshme opozitare, do të përballen jo me armë, por me votën e mërgimtarëve dhe qytetarëve dardanë. Ata që për vite me radhë e kanë plaçkitur dhe zhvatur këtë vend do të marrin përgjigjen demokratike që e kanë shmangur prej kohësh.
Më 28 dhjetor nuk do të ndodhë thjesht një proces zgjedhor, por një akt i fuqishëm demokratik – i drejtë, i ligjshëm dhe i pamëshirshëm ndaj korrupsionit.
Kjo pjesëmarrje masive nuk ka ndodhur kurrë më parë. Mërgimtarët që e duan atdheun më shumë se veten e tyre po kthehen edhe një herë për të dhënë kontribut, ashtu si dikur kur u bashkuan në kohën më të rëndë – në luftë.
Sipas të gjitha gjasave, më 28 dhjetor do t’u kthehet si bumerang pasuria milionerëve që u pasuruan në emër të luftës dhe të djathtizmit të rremë. Atyre që me xhipa, armë dhe arrogancë mendonin se bota sillet rreth tyre, duke vjedhur dhe plaçkitur shtetin në emër të sakrificës.
Disa nga kjo kategori kanë shkuar aq larg në vetëbesim të sëmurë, saqë edhe fëmijët e tyre kanë rrahur dhe fyer policinë, sikur ky vend të ishte ndërtuar si shtet gangsterësh e jo si shtet ligjor. A keni dëgjuar diku në botë – as në Bangladesh – që fëmijët e “gjeneralëve” të rrahin policinë e shtetit?
Për ata që u bënë milionerë në emër të luftës, mjafton një kthim i shkurtër pas në kujtesë për të gjetur përgjigjet:
— Kush e krijoi Listën Serbe?
— Kush e ndërtoi Gjykatën Speciale?
— Kush e solli kufirin te Ura e Ibrit?
— Kush e fali Çakorrin?
Po kufirin me Maqedoninë?”
— Kush i ndërtoi 10 komuna serbe?
— Kush e realizoi amanetin e Rankoviqit që veriu me Trepçën dhe Ujmanin t’i jepej Serbisë?
— Kush i ngriti mbi 40 kisha serbe me status ekstraterritorial në tokë që kurrë nuk ka qenë serbe? — Kush i vrau atdhetarët e LDK-s?
Mërgata po vjen jo për pushime, por për drejtësi. Jo për nostalgji, por për ndryshim. Më 28 dhjetor, Kosova do të përballet me pasqyrën e saj. Dhe këtë herë, historia nuk do të shkruhet nga hajnat e pushtetit, por nga vota e lirë e qytetarëve dhe mërgimtarëve që nuk e kanë harruar kurrë atdheun.




