Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shtuar mundësi për ndryshime në propozimin e saj për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Evropian, pasi Parlamenti Evropian ka kërcënuar ta bllokojë atë, sipas një letre të siguruar nga agjencia.
Von der Leyen i ka njoftuar me shkrim presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe presidencën aktuale të Këshillit të BE-së për opsionet e mundshme të ndryshimeve në propozimin e saj.
Opsionet përfshijnë dhënien e një roli më të madh rajoneve, ofrimin e garancive për sektorin bujqësor dhe forcimin e rolit të Parlamentit Evropian në shpërndarjen e fondeve nga buxheti i BE-së.
Nëse shtetet anëtare bien dakord, një pjesë e fondeve buxhetore të BE-së mund të rezervohet posaçërisht për zhvillimin e rajoneve rurale, përveç shpenzimeve të parashikuara në kuadër të Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP).
Sipas letrës, këto shtesa synojnë të lehtësojnë miratimin e kornizës financiare të BE-së për periudhën 2028–2034. Ky buxhet afatgjatë do të lejonte shpenzime rreth dy trilionë euro, rreth 700 miliardë euro më shumë se në periudhën aktuale shtatëvjeçare.
Ky veprim vjen pasi drejtuesit e grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian i dërguan von der Leyen-it një letër të përbashkët, ku shprehnin kundërshtimin e tyre ndaj disa pjesëve të propozimit fillestar të Komisionit.




