Von der Leyen javën tjetër do të përballet me mocion mosbesimi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të përballet me mocion mosbesimi në Parlamentin Evropian të enjten e ardhshme, pasi mocioni i paraqitur nga eurodeputeti rumun i ekstremit të djathtë, Gheorghe Piperea, kaloi të gjitha kontrollet procedurale të nevojshme.

Nisma, e mbështetur nga partia rumune AUR – pjesë e grupimit konservator ECR – u dorëzua zyrtarisht javën e kaluar me 74 nënshkrime fillestare. Edhe pse disa eurodeputetë më pas e tërhoqën mbështetjen, Piperea njoftoi të mërkurën se mocioni kishte arritur në 79 nënshkrime, duke kaluar pragun minimal të nevojshëm për aktivizimin e procedurës parlamentare.

Një burim nga Parlamenti konfirmoi për Euractiv se presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e ka informuar Konferencën e Presidentëve – organin që përcakton agjendën e punës së Parlamentit – se mocioni i ka përmbushur të gjitha kërkesat sipas nenit 131 të Rregullores së Parlamentit.

Mocioni do të debatohet të hënën, ndërsa votimi për të do të zhvillohet të enjten gjatë seancës plenare në Strasburg. Sidoqoftë, gjasat që mocioni të miratohet mbeten të ulëta.