Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se pas heqjes së pjesshme të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, 205 milionë euro pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm.
Kjo shumë parash, sipas saj, do të lëshohet nga 216 milionët e planifikuar për t’iu ndarë Kosovës.
Von der Leyen vendimin për t’i hequr një pjesë të masave të vënë Kosovës e ka quajtur lajm të mirë, teksa ka njoftuar se do të vazhdohet me heqjen e tërësishme të tyre.
“Jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare dhe kemi ndërmend të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar Von der Leyen në platformën “X”.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë mbrëmjes të së mërkurës ka bërë të ditur se BE-ja do t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës në fund të janarit.
Pas Samitit mes liderëve BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Osmani ka thënë se ka marrë konfirmimin nga Von der Leyen se masat do të hiqen tërësisht në janar.
Të martën, BE-ja hoqi një pjesë të masave ndëshkuese të vendosura më 2023. Sipas letrës nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të tetorit.




