Von Cramon: Presim që Serbia të dënojë luftën brutale të Rusisë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se pret nga Serbia që të rreshtohet përkrah Bashkimin Evropian për sanksionet ndaj Rusisë.

Von Cramon tha se kjo është më e pakta që kërkohet nga Serbia.

“Fushatat e dezinformimit nga Rusia fluturojnë lehtësisht në tabloidet serbe. Si një kandidat për BE, pres që udhëheqja në Serbi të dënojë luftën brutale të Rusisë në Ukrainë dhe të përafrohet me sanksionet e BE-së. Ky është minimumi që ne kërkojmë”.

Në fillimin e pushtimit rus në Ukrainë, Serbia nuk u pozicionua me asnjerën palë.

Ndonëse e kishte votuar rezolutën që e dënonte agresionin e Rusisë, më vonë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk mund të sanksionojë Rusinë pasi “ka ndihmuar Serbinë në kohë të vështira”.