VMRO: Për 40 minuta nuk pati ekip për shuarjen e zjarrit

Një zjarr i madh ka përfshirë objektin ku është vendosur Gjykata e Kundërvajtjes në Shkup. Objekti në parkun e qytetit afër Stadiumit “Todor Proeski” në Shkup, ka qenë barakë e vjetër dhe është djegur lehtë duke u krijuar vështirësi zjarrfikësve për ta shuar menjëherë. Komandanti i Njësitit Zjarrfikës të Qytetit të Shkupit, Vladimir Simonovski shpjegoi se zjarri ishte i fuqishëm, për këtë arsye është dashur që të aktivizohen më shumë ekipe të zjarrfikësve. Në momentin e rënies së zjarrit nuk ka pasur persona brenda. Nuk është raportuar për të lënduar ose për viktima. Ekipet janë munduar që të mos lejojnë flakët që të kaplojnë objektin e hotelit Tomçe Sofka në parkun e qytetit, prej nga janë larguar personeli dhe personat që gjendeshin aty. Ndërkohë, ngjarja ka nxitur edhe debate politike. Partia opozitare VMRO DPMNE ka reaguar duke marrë shkas raportimet se intervenimi i parë i zjarrfikësve ishte pas gjysmë ore pasi filloi zjarri. Partia e drejtuar nga Hristijan Mickoski e ka fajësuar kryetarin aktual të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, për mungesë të përgjegjësisë.

“Edhe në këtë rast është shfaqur paaftësia e Shilegovit. Për 40 minuta nuk pati ekip për shuarjen e zjarrit, derisa digjeshin barakat”, theksuan nga partia opozitare. Ata dyshojnë se ka ndonjë plan për ndërtimin e ndonjë banese aty, apo në atë objekt ka dokumente”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. /SHENJA/