VMRO-ja nuk do të respektojë parimin fituesi me fituesin

Pas shpalljes së zgjedhjeve nga Kuvendi, VMRO-DPMNE-ja do të vendosë nëse do të garojë e vetme apo në koalicion me parti të tjera. Megjithatë, partia e Hristijan Mickoskit ka qëndrim të prerë se në negociata për Qeveri, parimi fituesi me fituesin nuk do të vlejë. Nga kjo parti thonë se nuk presin që subjekte shqiptare t’i bashkohen koalicionit parazgjedhor, raporton Alsat.

Fillimisht mendoj se do të kemi deputet të mjaftueshëm që të formojmë Qeveri pa bërë koalicione. Por realiteti është i qartë në Maqedoni dhe në atë e kemi respektuar dhe do ta respektojmë. Pas zgjedhjeve, derisa fitojmë do t’i ftojmë një ose më shumë parti politike shqiptare me të cilat do të mund të bashkëpunojmë mbi bazën e programeve dhe koncepte. Sa i përket parimit fituesi me fituesin, këtë parim e ka shkelur koalicioni aktual qeverisës dhe në nuk mund të thirremi në parime të shkelura – tha Aleksander Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Opozita shqiptare është duke negociuar për formimin e bllokut parazgjedhor Aleanca, Besa, Alternativa. Epilogu i negociatave pritet së shpejti.

Me të dyja bashkë, nuk varet shumë nga ne sa varet nga ata. Por ne besojmë se do ta arrijmë të bëjmë koalicion me të dyja bashkë. Besoj që për pak kohë informacionet zyrtarisht do të ndahen nga Aleanca për Shqiptarët – u shpreh Krenar Lloga, Aleanca për Shqiptarët.

LSDM-ja akoma është duke zhvilluar negociata me parti shqiptare dhe maqedonase, por organet e partisë akoma nuk kanë vendosur përfundimisht.

Është shumë herët dhe jo e hijshme që unë ta ndaj qëndrimin e partisë. Juve e dini se në çdo parti vendimet kalojnë nëpër disa filtra me debat dhe vendime. Sigurisht që vendimin përfundimtar do ta japim pas këtyre procedurave – deklaroi Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

Për veprimin e BDI-së në zgjedhje do të vendos Këshilli i përgjithshëm i cili zgjidhet pas kongresit të së shtunës. Sipas tyre, me LSDM-në është krijuar mirëbesim i fortë.

Vendim përfundimtar do të merr këshilli i përgjithshëm pas kongresit i cili mbahet të shtunën, zgjedh këshillin i cili në BDI, mbi bazën e statutit merr vendime. Nuk mund të flasim për situata hipotetike. Neve kemi krijuar mirëbesim me LSDM-në, i ndajmë përcaktimet e përbashkëta strategjike – deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Për dallim nga Osmani, deputeti Artan Grubi ditë më parë deklaroi se vendimi partisë është që në zgjedhjet e 12 prillit subjekti të garojë i vetëm. Lëvizja Besa dhe Alternativa nuk komentojnë negociatat me qëllim ruajtjen e procesit./ Adrian Kerimi – ALSAT