VMRO-DPMNE e detyruar për “E Veriut” në NATO, nuk do ta injorojnë më shtesën, do të luftojnë edhe kundër korrupsionit

Deputetët Zoran Ilievski nga Manastiri dhe Zoran Gjorgjievski nga Kumanova, në seancën e djeshme plenare nuk votuan fare për ratifikimin e Protokollit për NATO. Boris Zemjkovski, Krsto Jovanovski, Vasill Peshev dhe Ivan Stoillkoviq, nuk ishin të pranishëm në seancën e djeshme parlamentare.

Të gjithë deputetët e tjerë të VMRO-DPMNE-së, votuan “pro” anëtarësimit në NATO edhe atë me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Lideri, Hristijan Mickoski, pyetjes së TV21 iu përgjigj se kanë qenë të detyruar që të bëjnë këtë gjë.

“Më vjen keq dhe kjo është e mërzitshme që të nënvlerësuar dhe siç thotë ish-kryeministri, me kurriz të ulur, e di që u sollëm në një situatë të tillë. Por, siç thashë, nuk e injorojmë shtesën, nuk do të krijojmë opinion të ri, ndërsa do të luftojmë me gjithë fuqitë këtë realitet ta ndryshojmë dhe kjo është e drejta jonë që e garantojnë të gjithë dispozitat”, deklaroi Mickoski.

Edhe pse deri më tani nuk e pranonin fare, e as nuk e përdorini shtesën e emrit, tani Mickoski thotë se nuk do ta injorojnë, do ta pranojnë dhe se do të mundohen të bëjnë ndryshime. Nuk saktësoi se çfarë do të ndodh me Marrëveshjen e Prespës nëse vjen në pushtet.

“VMRO-DPMNE është pjesë e Kuvendit, ku është shtesa e emrit, pjesë e institucioneve që e kanë shtesën e re të emrit që është rezultat i politikave kapitulluese të Zoran Zaev-it dhe LSDM-së. Të gjithë këto realitete ne nuk do t’i injorojmë, por do t’i pranojmë dhe do të japim gjithçka nga vetja për t’i ndryshuar”, potencoi Mickoski.

Mickoski shtoi se do të luftojnë edhe kundër korrupsionit, me qëllim që shteti të mos jetë në vendin e 106, të mos ketë regjim hibrid, të mos ketë ryshfet, gjyqësorë Lui Viton, Prokurori Svarovski. Në takimin e Odës për Teknologji informatike, janë dakorduar propozim masa që sipas tij do të duhet të jenë pjesë e programit të Qeverisë së ardhshme. U theksua se momentalisht në Maqedoni ka 4 900 studentë në Shkencat informatike ndërsa paraprakisht numri ka qenë shumë më i vogël.