Vmro akuzon kryeministrin se u përpoq të ndikojë te komisioni i Venedikut – Zaev Mohon

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski akuzon kryeministrin Zoran Zaev se ka tentuar në mënyrë manipulative të ndikojë tek Komisioni i Venedikut, duke dërguar letër në emër të Qeverisë. Milloshovski në profilin e tij në Fejsbuk shkruan se Zaev ka kërkuar nga kryetari i Komisionit të Venedikut që të mos e trajtojë paligjshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, me qëllim që siç shkruan Milloshovski, të mos ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.

Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE

“Zaev sugjeron që Komisioni i Venedikut të mos e trajtojë (jo) kushtetutshmërinë e Ligjit, sepse, merreni me mend, kjo do të mund të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve të caktuara. Me këtë, me ose pa vetëdije, Zaev konfirmon (jo) kushtetutshmërinë e Ligjit për Gjuhët, po ashtu e ka të qartë se një pjesë e madhe e opinionit nuk e miraton tregtimin e tij me ligjshmërinë në shtet”

Por, kryeministri Zoran Zaev duke u përgjigjur ndaj pyetjes së gazetarëve mohoi të ketë bërë një gjë të tillë.

Zoran Zaev, kryeministër

“Taman puna, unë jam Zoran Zaevi, që këtë ligj e mbronte që kur partitë politike shqiptare ishin të përmbajtur duke mos e ditur se çfarë mund të ndodh rresht vetë zgjidhjes ligjore. Ne duhet të jemi sinqerisht të hapur para të gjitha çështjeve. Asnjëherë nuk kemi kërkuar prolongim kemi kërkuar komentin tonë, e dini se ajo doli dikund kah tetori, ne formuam grup pune dhamë komentim të përbashkët nga Qeveria dhe në fund i morëm rekomandimet përfundimtare nga Komisioni i Venedikut”
Zaev tha se deri në shpalljen e zgjedhjeve dhe fillimin e fushatës nuk ka kohë të mjaftueshme për të hapur ndonjë procedurë për ndryshim të ligjit, por kjo sipas tij nuk mund të pengojë zhvillimin e një debati rreth kësaj teme. Kreu i Qeverisë tha se vetë ka kërkuar që të diskutohet për këtë temë dhe nuk dëshiron që të mbetet tabu temë në sytë e qytetarëve.