Shkruan: Florian NESIMI
Koalicioni VLEN në zgjedhjet e vitit 2024 doli si një forcë e re e fuqishme që i bashkoi shqiptarët në një listë të vetme opozitare. Asokohe VLEN u sulmua ashpër nga qarqe të ndryshme brenda dhe jashtë vendit kinse ky koalicion po përçan shqiptarët dhe po dobëson përfaqësimin tonë në Kuvend. Por numrat dhe statistikat flasin ndryshe: VLEN-i jo vetëm që nuk i përçau shqiptarët, por kontribuoi drejtpërdrejt në rritjen e numrit të deputetëve shqiptarë dhe në rritjen e numrit të mandateve të prodhuara nga partitë dhe koalicionet shqiptare. Për dallim nga vitet e mëparshme kur opozita shqiptare ishte e përçarë dhe gjatë zgjedhjeve kishim më shumë opsione opozitare (si në vitin 2016 me 4 lista ose në 2020-tën me 3 lista), numri i mandateve të prodhuara nga partitë shqiptare asokohe ishte dukshëm më i ulët. Por në vitin 2024, VLEN-i duke mobilizuar votën dëshmoi se bashkimi i opozitës në një koalicion të vetëm dhe ekzistimi i vetëm dy blloqeve politike apo sistemi dypolar sjellin rezultate konkrete.
Pas zgjedhjeve të 8 majit 2024, rezultati ishte që Fronti Evropian fitoi 18 mandate ndërsa VLEN fitoi 14 mandate. Në total u fituan plot 32 mandate, që historikisht është një numër rekord i mandateve të prodhuara nga partitë dhe koalicionet shqiptare. Nëse krahasojmë me vitet e mëparshme kur opozita ishte e fragmentuar, për shembull në vitin 2016 kur kishim 4 lista, rezultati ishte historikisht më i dobëti sepse shqiptarët fituan vetëm 20 deputetë. Ndërsa në vitin 2020 kur kishim 3 lista zgjedhore, rezultati ishte 28 deputetë të fituar.
Këto të dhëna të sipërpërmendura na dëshmojnë se te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut modeli me dy blloqe politike apo sistemi dypolar funksionon shumë më mirë se fragmentarizimi në më shumë parti opozitare.
Së pari, me këtë arrihet maksimalizimi i votës në njësitë zgjedhore. Në sistemin me 6 njësi, votat e koncentruara në vetëm dy lista japin mandate plus në zonat ku shqiptarët janë shumicë. Kur ka tre apo katër lista, shumë vota mbeten nën kufirin për një mandat plus dhe ato vota zhduken krejtësisht. Sistemi dypolar ruan konkurrencën e shëndetshme pasi dy blloqe krijojnë garë reale brenda trupit votues, pa e copëtuar aq shumë votën sa të dëmtohet përfaqësimi total.
Avantazhi thelbësor në sistemin dypolar është qartësia e zgjedhjes. Votuesit shqiptarë kanë ndjesinë se marrin pjesë drejtpërdrejt në vendimin se kush do të hyjë në qeveri. Zgjedhja është e qartë: “A do të mbështes një bllok politik për të rrëzuar qeverinë, apo do të votoj për bllokun që është në pushtet?”. Nga ana tjetër, një sistem shumëpolar (me katër ose pesë parti të vogla), shumica qeverisëse vendoset nëpërmjet pazareve pas zgjedhjeve, në dyer të mbyllura, ku krijohen koalicione të reja ku votuesit nuk kanë asnjë ndikim.
Në të ardhmen shqiptarët duhet të ruajnë dhe të forcojnë këtë model me dy blloqe politike, qofshin ato vetëm dy parti apo qofshin dy koalicione. Kjo është forma më efektive e organizimit politik në kushtet aktuale të sistemit zgjedhor proporcional. Kthimi prapa në 4 apo 5 parti të vogla do të ishte gabim strategjik historik pasi do të na kthente prapa në 20 apo 26 mandate, duke ulur kështu ndjeshëm peshën tonë në vendimmarrje.



