Shkruan: Florian NESIMI
Viktor Hygo ka thënë se nuk ka forcë më të madhe se një ide, koha e së cilës ka ardhur. Ideja për shkrirjen e VLEN-it në një subjekt sapo ka trokitur. Lëvizja Besa shkarkoi kryesinë e saj, vendosi një moratorium mbi aktivitetet partiake dhe autorizoi kryetarin Bilall Kasami që të zhvillojë bisedimet me partitë e koalicionit për bashkimin e tyre në një parti. Ky është sinjali i parë se VLEN-i më në fund po shkon drejt krijimit të një subjekti të vetëm. Edhe Izet Mexhiti e konfirmoi: ky hap i Lëvizjes Besa është fillimi i procesit. Mexhiti deklaroi se pret që rrugën e Besës ta ndjekë edhe partia e tij, Lëvizja Demokratike, e më pas edhe partitë tjera të bllokut.
Në historinë tonë politike 36 vjeçare kjo lëvizje cilësohet si një shenjë pjekurie dhe vetëdije të lartë. Liderët e VLEN-it duket se e kanë kuptuar që te shqiptarët unifikimi e rrit peshën politike, ndërsa fragmentimi na dobëson. Historia jonë politike na ka dhënë leksione. Sa herë që vota shqiptare është shpërndarë në më shumë parti, fuqia jonë në Parlament dhe Qeveri është zbehur.
Sot, VLEN-i po tenton të kalojë nga një koalicion në një forcë të fuqishme. Liderët e këtij koalicioni po tregojnë gatishmëri të sakrifikojnë strukturat e tyre partiake, postet dhe funksionet, dhe mbi të gjitha, po tregojnë mençuri politike duke lënë anash interesat e ngushta klanore. Dhe krejt kjo për diçka më të madhe, për faktorizimin politik dhe maksimalizimin e peshës politike të shqiptarëve. E kur të kemi parasysh se VLEN-i doli fitues në zgjedhjet e fundit lokale, është e qartë se momentumi politik është totalisht në anën e tyre.
Në anën tjetër, te blloku opozitar, duket sikur koha është ndalur. Ndërsa VLEN po bashkohet, opozita po shndërrohet në një agjenci marketingu: deklarata boshe, konferenca ditore pa përmbajtje dhe një vizion që nuk sheh më larg se dita e nesërme. Politikbërjen e kanë shndërruar në politikë ditore e cila krijohet vetëm për të ushqyer rejtingun e momentit. E kur rejtingu partiak vëndohet përpara parimeve dhe vizionit afatgjatë, atëherë opozitarizmi është i destinuar të dështojë totalisht.
Problemi tjetër te opozita shqiptare është se liderët nuk po e mposhtin dot veten. Në vend që të krijojnë një bllok të vetëm opozitar, ata janë kthyer në një lëmsh subjektesh që nuk guxojnë të bëhen një parti sepse prioritet e kanë ruajtjen e egos personale. Fakti që disa parti tashmë u larguan nga ky koalicion, ndërsa të tjera ende nuk e dinë nëse janë brenda apo jashtë tij, ka bërë që opozita të mbetet pa identitet dhe me busull të humbur.
Sistemi dypartiak apo dualizmi në skenën tonë politike është domosdoshmëri. Neve si shqiptarë në Maqedoninë e Veriut na duhet një forcë e fortë në pushtet dhe një forcë po aq e fortë në opozitë. VLEN po lëviz me mençuri drejt këtij qëllimi. Ndërsa opozita rrezikon të mbetet e humbur në kohë dhe në hapësirë, duke pritur që marketingun t’ia shesë për politikë një populli që kërkon rezultate e jo reklama.
Se kush do të dijë ta lexojë drejt këtë moment historik, do ta thotë koha, por shenjat e para po tregojnë se liderët e VLEN-it po sakrifikojnë karrigen për një kauzë më të madhe, e dikush tjetër po sakrifikon kauzën për karrigen e tij personale.



