Koalicioni VLEN ka reaguar pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, duke deklaruar se më 19 tetor “ranë gënjeshtrat dhe mashtrimet politike”, ndërsa qytetarët dhanë përgjigjen e tyre të qartë për “referendumin e paralajmëruar” nga kundërshtarët politikë.
“Politika mbi 20 vjet e ndërtuar mbi vetëpëlqim, mashtrime dhe arrogancë u shemb më 19 tetor si kulla prej letrave. Fitoret e VLEN-it në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhëlinë, Tearcë, dhe epërsia bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Bërvenicë e Dollnen janë përgjigjja e shqiptarëve ndaj PR-trukut ‘referendumi’ që për muaj të tërë e trumbetonin treshja në agoni Ahmeti–Taravari–Sela,” thuhet në reagimin e koalicionit.
Nga VLEN theksojnë se në Kërçovë “u pa fytyra e vërtetë e kastës së vjetër politike”, duke shtuar se pas shpërthimit të skandalit, reagimi ishte i njëjtë si çdo herë tjetër: “Ta kalojmë edhe këtë, si gjithmonë.”
“Kjo është filozofia që ka mbajtur peng shqiptarët – mbyll sytë, bëj sikur s’dëgjon, dhe nesër vazhdo sikur s’ka ndodhur asgjë,” vijon reagimi.
Koalicioni rikujton gjithashtu se pas publikimit të materialeve komprometuese kërkoi tërheqjen e kandidatit të ASH–BDI-së nga gara për të ruajtur dinjitetin e procesit zgjedhor.
“Por ai zgjodhi të vazhdojë, duke e vendosur Kërçovën në pozitë të padrejtë dhe duke dëshmuar se për këtë kastë politike, pushteti është oksigjeni i fundit politik,” përfundon reagimi i VLEN-it.(INA)




