VLEN pret vendimin e Alternativës! Partia ende po shqyrton marrëveshjen për ndarjen e strukturave

Janë dakorduar të shkrihen në një parti, por ka mbetur vetëm Alternativa të pajtohet për ta zyrtarizuar VLEN-in si një subjekt i vetëm.

“Ka mbetur ashtu siç e kemi potencuar që Alternativa këto vendime t’i kalojë në organet e partisë dhe të vazhdojë procesi i formal i ngritjes së strukturave të përbashkëta të VLEN-it”, tha Bilall Kasami-VLEN.

Kasami e përsëriti se marrëveshja është me dy kryetarë, ai bashkë me Mexhitin dhe ndarja e pushtetit të jetë në 5 pjesë nga 20%. Por për këtë Alternativa model ende po mendohet nëse do të pajtohen ose jo!?

 “Bëhet fjalë për një dakordësi paraprake që lidershipi të jetë me dy bashkëkryetarë, me dy nënkryetarë, sekretar gjeneral dhe pjesa tjetër organizative. Poashtu ka një dakordësi paraprake që ndarja të jetë 5 nga 20% e strukturës së organeve të partisë dhe kur do të jetë si do të jetë, varet nga konsultimet brenda Alternativës”, shtoi Bilall Kasami nga VLEN.

Ndërkohë jashtë VLEN-it mund të mbetet Arben Fetai i cili pasi mbeti jashtë loje doli me një reagim në të cilin shkroi:

“Mësimi është i thjeshtë: kur një lëvizje fillon të konsumojë njerëzit e saj për shkak të apetiteve të fraksioneve, ndonjëri prej tyre mund të forcohet përkohësisht, por në fund, lëvizja e han kokën e vet”, tha Arben Fetai.

I pyetur për këtë Kasami tha se VLEN është organizatë gjithëpërfshirëse dhe se ideja ka qenë përfshirja e sa ma shumë subjekteve apo faktorëve politikë në skenën politike,  por siç shtoi, nuk mund askënd ta mbajmë me forcë.