VLEN: Pas pankartave studentore fshihet dora e BDI-së

Komunikata e VLEN-it:

BDI është e shkërmoqur. Nuk mund të rikuperohet pas dënimit që shqiptarët ia dhanë me votë. Prandaj po bën atë që ka bërë gjithmonë kur i digjet toka nën këmbë, e gjuan gurin dhe e fsheh dorën.
Pas 20 vjetësh pushtet mbi shpinën e shqiptarëve, me të njëjtët karrigaxhinj të përhershëm në krye, kjo parti i ka përveshur mëngët si e tërbuar pas pushtetit. Si hipokrite që është, bashkë me disa “studentë” të futur në lojën e saj të pistë politike, po përpiqet t’i përdorë pankartat studentore si karrem për rikthim në pushtet.

Bujar Osmani, Arbër Ademi, Blerim Bexheti dhe tajfa e tyre nuk e kanë hallin e studentit. Nuk e kanë hallin e gjuhës shqipe. E kanë hallin e vetes. E kanë hallin e pushtetit, privilegjeve dhe karrierave të dështuara, prandaj studentin e manipulojnë dhe e instrumentalizojnë për ta shfrytëzuar si mjet drejt pushtetit.

Provimi i jurisprudencës asnjëherë nuk është dhënë në gjuhën shqipe dhe këtë e pranojnë edhe vetë. Atëherë pse nuk e zgjidhën kur kishin gjithçka në dorë? Pse nuk e bënë kur kishin ministra, deputetë, kryeministër teknik, kryeparlamentar, drejtorë dhe pushtet absolut? Sepse nuk u interesonte. Sepse jetonin në një botë tjetër, në botën e luksit, hajnisë dhe agallëkut mbi kurrizin e shqiptarëve.

Ne kemi thënë qartë se provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe shumë çështje tjera që BDI i ka lënë përgjysmë, do t’i zgjidhim. Siç e zgjidhëm me ligj çështjen e medresantëve, të cilët këta i gënjyen, njëjtë do t’i zgjidhim edhe çështjet e tjera që BDI i përdori vetëm për propagandë.
Prandaj u bëjmë thirrje studentëve të sinqertë të mos lejojnë të përdoren si mish për top nga Bujar Osmani, Arbër Ademi, Blerim Bexheti, Fatmir Besimi, Talat Xhaferi dhe një grusht njerëzish që nuk mund të jetojnë pa agallëk politik.

Shqiptarët e kanë dhënë verdiktin me votë. BDI-së i ka skaduar koha.