VLEN paralajmëron pagë minimale 26.400 denarë

Pas një fitoreje plebishitare në zgjedhjet lokale, ku qytetarët shqiptarë në çdo komunë bënë të qartë besimin e tyre te VLEN, ne po e kthejmë menjëherë këtë besim në punë konkrete dhe rezultate të prekshme.

Sot, koalicioni VLEN njofton një lajm që prek drejtpërdrejt mijëra familje: Paga minimale do të rritet me rreth 2.000 denarë në mars 2026, duke arritur në 26.400 denarë neto. Kjo falë dhe përkushtimit maksimal të Ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, dhe kjo është vetëm fillimi i reformave që po sjellim në ekonominë e vendit.

Kjo rritje është dëshmia më e fortë se qeverisja e VLEN nuk njeh pritje, nuk njeh vonesa dhe nuk njeh justifikime. Premtimet tona po kthehen në vendime, e vendimet po kthehen në benefite të prekshme për qytetarët.

Standardi jetësor i punëtorëve është prioriteti ynë. Dinjiteti i çdo familjeje është përgjegjësi e jonë. Ne po ndërtojmë një ekonomi ku puna shpërblehet drejt, ku të rinjtë shohin perspektivë dhe ku të gjithë ndihen të mbrojtur.

VLEN do të vazhdojë me vendime të guximshme dhe politika të qarta në shërbim të qytetarëve, sepse besimi që na dhatë më 19 tetor po e kthejmë në punë, zhvillim dhe dinjitet. Kjo është qeverisja që ndjehet në jetën e qytetarëve.