VLEN: Mos lësho pe

Koalicioni VLEN organizoi ditë më parë një tubim në Teatrin Shqiptar në Shkup, në mbështetje të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë. Tubimi mblodhi një numër të madh qytetarësh dhe u vlerësua si dëshmi e lidhjeve të ngushta shpirtërore, familjare dhe kombëtare ndërmjet shqiptarëve në Shkup dhe Kosovës.

Organizatorët theksuan se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut posedojnë shtetësi të Kosovës dhe do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e së dielës.

Në një sallë të mbushur plot, i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, i cili falënderoi VLEN-in për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Në fjalën e tij, Konjufca u shpreh se fitorja e VLEN-it në zgjedhjet parlamentare të para dy viteve ishte cilësuar nga disa si “aksidentale”, por sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale e konfirmuan rolin e VLEN-it si forcë e re politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Tubimi u zhvillua në frymën e sloganit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! “Mos lësho pe”, i cili u cilësua si mesazh politik dhe moral për këmbëngulje në drejtësi, dinjitet, sovranitet dhe të ardhmen e brezave të rinj.

Nga VLEN dhe VETËVENDOSJE! u theksua se bashkëpunimi ndërmjet dy subjekteve dëshmon se kufijtë administrativë nuk e ndajnë vullnetin politik dhe idealet kombëtare, ndërsa u bë thirrje që zëri i shqiptarëve të dëgjohet fuqishëm në zgjedhjet në Kosovë.