VLEN: Manastiri na bashkon, sot nderojmë gjuhën që na mbajti gjallë si komb

Koalicioni VLEN përcjell urime me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një nga ngjarjet më të mëdha kulturore dhe kombëtare në historinë shqiptare. Nga VLEN thonë se Dita e Alfabetit shënon gurin themelor të identitetit kombëtar.

“Dita e Alfabetit është gur themeli i identitetit tonë kombëtar. Më 22 nëntor 1908, në Manastir, rilindasit shqiptarë vendosën jo vetëm rregullimin e alfabetit, por drejtimin strategjik të kombit shqiptar: ecjen krah për krah me popujt evropianë, forcimin e kulturës, arsimit dhe vetëdijes sonë kombëtare, si bazë për lirinë politike dhe zhvillimin shoqëror. Manastiri mbetet zemra e kësaj ngjarjeje historike, simbol i unitetit, dijes dhe përparimit. Në këtë ditë nderojmë sakrificën, urtësinë dhe vizionin e rilindasve tanë, të cilët besuan se gjuha është shtëpia e kombit, dhe se një komb i arsimuar është një komb i lirë”, thonë nga VLEN due ftuar qytetarët që sot nga ora 19:00, të bashkohen në Pallatin e Kulturës në Manastir, ku në organizim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mbahet një program kulturor-artistik i dedikuar kësaj feste madhështore.