VLEN: Kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese sillet si elitë politike jugosllave!

Koalicioni VLEN thekson se përdorimi i gjuhës shqipe është e drejtë themelore dhe detyrim kushtetues. Sipas VLEN, çdo njoftim, paralajmërim apo masë ndaj qytetarëve përmes sistemit “Safe City” duhet të bëhet edhe në gjuhën shqipe. Partia paralajmëron se do ta mbrojë këtë parim me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale. Në reagim, VLEN gjithashtu kritikoi përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese.

“Si legalistë, duam ta respektojmë parimin normativ se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen, sidomos jo nga partitë politike, sepse kjo automatikisht mund të interpretohet si presion politik. Megjithatë, para së gjithash si njerëz, e pastaj edhe si parti, nuk mund t’i shmangemi përshtypjes se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese më shumë i ngjan një elite politike jugosllave sesa instancës më të lartë gjyqësore në vend. Përdorimi i gjuhës shqipe është e drejtë themelore e njeriut dhe një nga vlerat themelore të Kushtetutës. Institucionet shtetërore kanë detyrimin ta garantojnë të drejtën e çdo qytetari që të informohet në gjuhën e tij amtare, përfshirë edhe për detyrimet që i lindin si pasojë e veprimeve apo sjelljes së tij. Kjo vlen edhe për sistemin “Safe City”. VLEN ka qenë i qartë dhe mbetet i palëkundur në qëndrimin se kur shteti njofton, paralajmëron apo ndëshkon qytetarin përmes këtij sistemi, ai ka për detyrë ta bëjë këtë edhe në gjuhën shqipe. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues dhe respektim i një të drejte themelore. Pikërisht për këtë, VLEN do ta mbrojë këtë parim me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale, deri në zbatimin e plotë dhe pa asnjë dilemë”, thuhet në reagimin e VLEN.