VLEN drejt formalizimit, modeli me dy kryetarë duket të jetë përfundimtar!

 

VLEN po hyn në fazën përfundimtare të formalizimit si parti e vetme, dhe modeli me dy kryetarë duket të jetë zgjedhja e konsoliduar një kompromis mes unitetit dhe rivaliteteve të brendshme. Ky model synon të balancojë interesat e liderëve, por rrezikon të prodhojë tensione të vazhdueshme në funksionimin e strukturës. Këtë gjë e pohoi mbrëmë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili shprehu publikisht qëndrimin e tij se ky model do të jetë funksional, shkruan Zhurnal.

Konteksti politik i zyrtarizimit të VLEN-it në një subjekt –

Koalicioni VLEN ka paralajmëruar prej kohësh shndërrimin në një parti të vetme, pas zgjedhjeve parlamentare dhe lokale. Marrëveshja përfundimtare pritet të formalizohet me dy bashkëkryetarë dhe një kryesi prej pesë anëtarësh, duke u prezantuar si një formë e re organizimi politik .

Këtë e pohoi mbrëmë përfaqësuesi i ASH-së në qeveri, Azir Aliu, i cili tha se ky proces më ka ngelë çështje ditësh.

“Po VLEN do të bëhet një subjekt dhe kjo ka ngel çështje ditësh, modeli me dy kryetarë është model inovativ që do të jemi shembull në rajon. Pra, me dy kryetarë do të eliminohet hapësira e një lideri dhe disa sherifave lokalë të cilët do të vendosin për gjithçka. VLEN do të shndërrohet në akademi politike për mënyrën e funksionimit”, tha ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në Debat në Shenja.

Analiza e modelit me dy kryetarë –

Përparësitë janë të shumta pasi do të ndodhë balancim i pushtetit. ku shmang dominimin e një lideri të vetëm dhe jep hapësirë për përfaqësim të barabartë. Amortizim i pakënaqësive ku baza e partive të ndryshme brenda VLEN-it ndjehet e përfaqësuar, duke ulur rrezikun e përçarjes.

Gjithashtu, është mesazh uniteti ku në opinionin publik, dy kryetarë mund të perceptohen si simbol i bashkëpunimit dhe konsensusit.

Modeli me dy kryetarë mund të jetë një kompromis i domosdoshëm për momentin, por jo një zgjidhje e qëndrueshme. Ai pasqyron realitetin e një koalicioni që ende nuk ka arritur të prodhojë një lidership të vetëm, duke e mbajtur unitetin përmes ndarjes së pushtetit.

Nëse VLEN synon të jetë një parti e konsoliduar dhe e besueshme në afatgjatë, duhet të kalojë nga ky model tranzitor drejt një strukture më të qartë dhe të unifikuar. Përndryshe, rrezikon të mbetet një projekt i varur nga ekuilibrat e brendshëm dhe jo nga vizioni politik. Por, kjo është çështje e brendshme e partisë në ardhje, VLEN, ata janë që hartojnë politikat e brendshme.

Ajo që është çështje analitike është fakti se VLEN janë afër tejkalimit të presionit publik dhe atij të brendshëm sa i përket shkrirjes në një subjekt të vetëm politik. Prandaj, mbetet të shihet ditëve në vijim kur do të ndodhë shkrirja reale e VLEN-it dhe sa prej subjekteve aktuale do të qëndrojnë në këtë format të shkrirjes me dy kryetarë. /Zhurnal.mk