VLEN dhe Lëvizja Arbëria kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet e 19 tetorit. Nga VLEN thonë se ky hap shihet si garanci për fitore dhe ndryshim politik, “me synim çlirimin e komunave nga korrupsioni dhe ndikimi i BDI-së”.
“Sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes VLEN dhe Lëvizjes Arbëria, të udhëhequr nga ish-deputetët Bekim Fazliu, Merale Ferati, Orhan Ibrahimi dhe personalitete të tjera me peshë në skenën politike. Ky akt është një dëshmi e qartë se jehona e fitores së madhe të 19 tetorit po rritet çdo ditë dhe po mbisundon në çdo cep të vendit. Kjo marrëveshje është vulosja e sigurt e ndryshimit, fitorja e qytetarëve mbi padrejtësitë, dhe garanca se krimi dhe korrupsioni do të asgjësohen njëherë e përgjithmonë. Komunat tona nuk do të jenë më pronë e BDI-së së kapur nga korrupsioni dhe “non gratat”. Nga 19 tetori ato do të çlirohen dhe do t’u kthehen qytetarëve me një pushtet vendor të ndershëm, transparent dhe të përkushtuar për zhvillim”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Lëvizja “Arbëria” është një nismë e themeluar më 5 korrik 2025. Ajo u krijua nga ish-deputetët e PDSH-së pas dobësimit gradual të kësaj partie. PDSH nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, dhe Arbëria u themelua si një alternativë politike për pjesëmarrje në zgjedhje.
Përndryshe, zgjedhjet lokale do të të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.