VLEN: 19 tetori e nisi valën, më 11 janar Gostivari e përmbyll ndryshimin!

“Sot, Shefi i Shtabit Qendror të VLEN, Adnan Azizi, së bashku me krerët e koalicionit, zhvilluan një vizitë pune në Gostivar, ku u pritën nga aktivistët dhe strukturat e VLEN në Gostivar.

Atmosfera në Gostivar ishte e njëjtë me atë të fitoreve të 19 tetorit: e fuqishme, e qartë dhe plot besim se VLEN është drejt fitores së radhës.

Rezultatet e zgjedhjeve lokale treguan pa asnjë dilemë se qytetarët shqiptarë zgjodhën ndryshimin, duke na dhënë besimin në gati të gjitha komunat shqiptare. Gostivari nuk bën përjashtim, përkundrazi, është gati t’i bashkohet valës së re që ka përfshirë të gjithë vendin.

Më 11 janar, Gostivari do ta bëjë hapin e vet historik. Do t’i bashkohet ndryshimit që tashmë ka nisur të ndërtojë komuna moderne, transparente dhe të orientuara drejt qytetarit.

VLEN vjen në Gostivar me vizion të qartë, me ekip të fortë dhe me mbështetjen e një shumice që kërkon ndryshim real, jo retorikë të vjetruar. VLEN premton punë, përgjegjësi dhe rezultate. Kjo është arsyeja pse fituam më 19 tetor dhe kjo është arsyeja pse do të fitojmë edhe më 11 janar në Gostivar.

Gostivari është gati. Qytetarët janë gati. Koha është e jona”.