Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përcjellë një porosi të qartë dhe të drejtpërdrejtë nga Shkupi, duke theksuar se rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut varet tani vetëm nga vullneti i saj për të përmbushur obligimet e marra – para së gjithash, ndryshimet kushtetuese.
Në një postim në rrjetin social X (ish-Twitter), pas takimeve zyrtare me liderë politikë dhe institucionalë në Shkup, von der Leyen ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian, por njëkohësisht nuk kurseu as paralajmërimin:
“Ne mbetemi plotësisht pas Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të llogarisni tek ne. Por hapi i radhës dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë: Duhet të realizoni ndryshimin kushtetues të rënë dakord. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është e gatshme.”
Ky qëndrim vjen në një kohë kur procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut ka ngecur, për shkak të refuzimit të brendshëm politik për të miratuar ndryshimet kushtetuese të domosdoshme për të avancuar negociatat me BE-në – në veçanti, ato që lidhen me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, në përputhje me marrëveshjen me Sofjen.
Von der Leyen nuk ka lënë vend për interpretime – BE-ja nuk do të lëvizë pa përmbushjen e kushteve. Takimet me kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kuvendit dhe përfaqësues të partive politike, duket se kanë pasur një synim të vetëm: t’u kujtojë udhëheqësve të vendit se bllokimi i procesit nuk vjen nga Brukseli, por nga Shkupi.
Ky mesazh shihet nga analistët si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj politikës së brendshme në RMV, e cila prej kohësh po shmang marrjen e vendimeve të vështira, ndërkohë që për opinionin publik Qeveria aktuale fajin shpesh ia atribuon BE-së.(INA)