Vizitat e Veselit dhe Haradinajt nëpër komuna, Kurti: Nuk i ndjek ata

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka dashur të komentojë vizitat e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe atij të AAK-së Ramush Haradinaj nëpër komuna.

I pyetur nëse kjo nënkupton një ‘fushatë elektorale’, ai ka thënë se është kryeministër në detyrë dhe nuk i ndjek ata duke nënkuptuar për Veselin dhe Haradinajn.

“Për besë unë nuk i ndjek ata dhe s’di pse po më ngatërroni me ata. Unë jam kryeministër në detyrë”.

Këto komente shefi i qeverisë në detyrë i ka bërë derisa e ka vizituar Qumështoren “Sharri” në Prizren.

“Sot e vizituam Qumështoren “Sharri” që është një biznes 20 vjeçar i cili është ngritur me fuqi të veta dhe ka marrë pozitë shumë të rëndësishme në tregun e Kosovës përmes cilësisë, përkushtimit të pronarëve dhe punëtorëve që e kanë bërë qumështin, kosin dhe djathin “Sharri” të mirënjohur anembanë komunave të Kosovës dhe në këtë mënyrë janë një brend suksesi i prodhimit vendor”.

Ai ka thënë se është befasuar se si pronarët e qumështores nuk kanë aplikuar për përfitim nga Pakoja Fiskale Emergjente, derisa ka premtuar se Qeveria do të mbështesë prodhuesit, fermerët dhe të gjitha hallkat e tjera të ekonomisë.

“Për mua ishte befasuese se si qumështorja “Sharri” fare nuk e ka shfrytëzuar mundësinë e aplikimit në kuadër të Pakos Fiskale Emergjente, por gjithçka ka bërë me forcat e veta dhe tash kur ngadalë do të dalim mbase nga pandemia planifikon investime më të mëdha. Shteti i Kosovës duhet të jetë pranë këtyre prodhuesve që na mbajnë me ushqim dhe paguajnë tatimet për shtetin dhe praktikisht nuk marrin prej tij edhe atëherë kur kanë të drejtë”.

“Ne jemi duke i liberalizuar masat për biznesin në përgjithësi posaçërisht për fermerët, sepse e dimë se tash është stina e tyre. Ne do ta ndihmojnë hallkën e parë që janë fermerët, hallka e dytë janë industria ushqimore, derisa hallka e tretë janë marketet që shumë prej tyre ua vonojnë shumë pagesat industrisë së qumështit. Nëse një hallkë nuk funksionon siç duhet, atëherë i gjithë zinxhiri dobësohet. Një fjalë e urtë thotë ‘zinxhiri është i fortë aq sa është hallka më e dobët’”.