Ylli i muzikës rep, Cardi B, ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore dhe rrjeteve sociale gjatë vizitës së saj në Riad, Arabi Saudite, ku u shfaq me një stil krejtësisht të ndryshëm nga ai me të cilin jemi mësuar ta shohim.
Këngëtarja udhëtoi drejt Mbretërisë për të performuar në festivalin e njohur muzikor MDLBEAST Soundstorm 2025. Megjithatë, ajo që bëri bujë nuk ishte vetëm performanca e saj, por respekti që ajo tregoi ndaj kulturës vendase duke u mbuluar gjatë daljeve të saj publike.
Në disa video që u bënë virale në Instagram dhe TikTok, Cardi B u pa e veshur me një fustan të gjatë të zi dhe me shami në kokë (hixhab), ndërsa bënte shaka me ndjekësit e saj duke e quajtur veten “Halal B”.
Ajo postoi pamje nga hoteli dhe nga një qendër tregtare në Riad (Solitaire Mall), ku shfaqej e veshur me abaya tradicionale. Në një nga videot më të komentuara, reperja shihet duke vrapuar në pistën e vrapimit në palestër, sërish e veshur me hixhab, duke thënë me humor se po përgatitej për turneun e saj të ardhshëm dhe se ishte një “grua e mirë” që respektonte rregullat e vendit.
“Përshëndetje Arabi Saudite! Halal B ka mbërritur!” – shkroi ajo në rrjetet sociale, duke fituar simpatinë e shumë fansave lokalë për qasjen e saj pozitive dhe respektuese.
Ndërsa në rrugë zgjodhi veshjen modeste, në skenën e festivalit Soundstorm, Cardi B ruajti stilin e saj artistik, duke performuar me një veshje skenike rozë të dizenjuar nga Gaurav Gupta, por sërish duke mbajtur një elegancë që u vlerësua nga të pranishmit.
Ajo u shpreh e mahnitur nga mikpritja, duke thënë: “Njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm dhe të dashur. Është një vend luksoz dhe po kaloj shumë mirë.”
Kjo vizitë shënon një moment interesant për reperen, e cila njihet për stilin e saj provokues, por që dëshmoi se di të përshtatet dhe të respektojë traditat e vendeve që viziton. /Prive




