Kosova po pret që vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian që ta refuzojnë këtë propozim. Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ftoi Bashkimin Evropian që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel.
Bislimi konsideron që propozimi të KE-së, për të cilin nuk është diskutuar me Qeverinë e Kosovës, shkel marrëveshjet e dialogut për shuarjen e strukturave ilegale dhe minon integrimin e komunitetit serb në Kosovë.
Sipas tij, pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsiderojnë komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë.
Portali ka kërkuar sqarime edhe nga kabineti i Komisioneres e Ylva Johansson, por nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Serbët nga Kosova kanë edhe të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009.
Një hap më afër apo më larg integrimit
Një përplasje botëkuptimesh se a do i integroj ose do pengoj një gjë e tillë integrimin e serbëve të Kosovës, është krijuar mes organizatave të shoqërisë civile të vendosura në qendër të Kosovës, me organizatat në veri të vendit.
20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë në një letër dërguar Komisioneres e Ylva Johansson, thanë se ky propozim i Komisionit Europian do të sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës.
Përveç kësaj, sipas tyre, do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit.
Nën ombrellën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, GLPS, kanë vlerësuar që propozimi i KE do ta lëndojë seriozisht qëllimin dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të vitit 2023.
Këto marrëveshje bazohen në parimin e respektimit të integritetit dhe sovranitetit të dyanshëm, marrëveshjeve paraprake për largimin nga Kosova të strukturave paralele të shtetit të Serbisë.
Sipas këtyre organizatave, propozimi KE do të mundësojë pranimin e dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet të cilat nuk kanë mundësi as teknike e as ligjore të verifikojnë të dhënat e bartësve të tyre, “rrjedhimisht të vendosë në rrezik gjithë zbatimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”.
Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në GLPS, tregon se nuk presin që të kenë përgjigje të drejtpërdrejtë nga Unioni Evropian në lidhje me letrën e tyre. Sipas saj, ka sinjale që argumentet e shkruara, janë lexuar dhe po trajtohen në forumet ku merren vendimet.
“Në raste të tilla nuk pritet që institucionet e BE-se të përgjigjen drejtpërdrejtë. Për neve është e rëndësishme që argumentet tona janë lexuar dhe trajtohen në forumet ku merren vendimet, e për këtë kemi sinjale që ka ndodhur”, tha Loxha.
Kundër-reagimi erdhi nga 15 organizata joqeveritare serbe të vendosura në veri të vendit. Ata letrën e shoqërisë civile të Kosovës e konsideruan fyese dhe të paqëndrueshme.
“Nuk do të integrohen më shumë serbë të Kosovës nëse pajisen me pasaporta të Kosovës sesa numri i atyre që tashmë kanë nënshtetësi të Kosovës. Kjo rrjedh nga fakti se pasaporta nuk mund të merret pa letërnjoftim dhe vërtetim të shtetësisë. Me fjalë të tjera, një person që merr një pasaportë të re tashmë ka shtetësinë dhe kështu është tashmë i integruar”- kanë renditur ata në listën e aregumenteve.
Nëse një azilkërkues ose person që shkelë rregullat e liberalizimit të vizave për Kosovën në vendin pritës, me këtë pasaportë është e paqartë nëse personi duhet të riatdhesohet në Serbi, e pastaj prej Serbisë personi dërgohet në Kosovë pasi Kosova nuk ka marrëveshje me Serbinë për këtë çështje.
Përfaqësuesi i njërës nga organizatat e veriut, Miodrag Miliçeviq nga organizata AKTIV thotë që reagimet e OJQ-ve të Kosovës tingëllon si një kërkesë politike dhe jo si kërkesë që do t’i ndihmonte serbët e Kosovës të gëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe mekanizmat e ndryshëm ekzistues.
Letrën e këtyre organizatave, Miliçeviq e sheh si pjesë e një diskursi më të gjerë mbi barazinë që mohon të drejtat e garantuara me Ligjin për Shtetësinë në Kosovë.
Për Miliçeviq, kjo letër ishte befasi. Sipas tij, letra shpërfill disa fakte shumë të rëndësishme. Miliçeviq konsideron të rëndësishme Marrëveshjen ndërmjet Komisionit Europian dhe Serbisë e arritur në vitin 2009, e cila rregullon lëshimin e dokumenteve të udhëtimit për shtetasit serbë me vendbanimin e saj. Ndërsa, fakt të dytë ai e konsideron mohimin e qasjes në shtetësi.
“Injorimi i këtyre dy elementeve faktike mund të përjashtojë të drejtat e komuniteteve për barazi dhe për më tepër përjashton lirinë e lëvizjes së atyre që u mohohet shtetësia në Kosovë”,tha ai.
Sipas tij, bazuar në një analizë të organizatës që drejton, 92% e serbëve të Kosovës kanë dokumente të Kosovës. Me këtë ai përfundon që integrimi teknik tashmë është arritur.
Nga ana tjetër, iniciativat që perceptohen si të njëanshme ose që favorizojnë padrejtësisht një komunitet mbi një tjetër, mund të përkeqësojnë tensionet ekzistuese dhe të thellojnë ndarjet ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptar.
Vendimi për liberalizimin e vizave ka marrë dritën e gjelbër nga të gjitha instancat e Bashkimit Evropian dhe është nënshkruar më 19 prill 2023 nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian.
Ky vendim shënoi hapin e fundit e procesit të liberalizimit të vizave, i cili ka zgjatur më shumë se 10 vite prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Sipas vendimit, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.
Derisa ETIAS nuk është ende në funksion, qytetarët e Kosovës me pasaportë do ta kenë të drejtën e udhëtimit pa viza nga 1 janari. Ndërsa në momentin që është plotësisht operativ dhe funksionon, sistemi ETIAS do të vlejë për të gjitha shtetet që nuk kanë viza për të hyrë në zonën Schengen, përfshirë edhe Kosovën.
Shqetësimet e sigurisë me terrorizmin dhe krizën e emigrantëve të shpërfaqura më dukshëm viteve të fundit në Evropë kanë bërë që të krijohet një menaxhim më të mirë, ETIAS, në mënyrë që të kontrollohet se kush po hyn në kufijtë e BE-së.
Secili aplikant duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të detajtuar të ETIAS për të përcaktuar nëse ata mund të hyjnë në zonë Shengen. Hapat për të aplikuar për ETIAS janë plotësimi i formularit euro dhe pritja për konfirmim.
Gjatë këtij aplikimi nuk lejohet të ofrohen informata të rreme pasi që sistemi është i lidhur me shumë baza të dhënash për verifikim, dhe nëse të dhënat e ofruara janë të rreme, do të revokohet ETIAS-i i personit në fjalë.
Shpeshherë, ETIAS ngatërrohet me vizën, gjëra që nuk janë të njëjta. Për vizë duhet të paguhen tarifa, dhjetëra dokumente, duhet të pritet me javë për një përgjigje, mbushja e aplikacionit merr shumë kohë. Ndërkaq, për ETIAS, procesi është lehtë i zbatueshëm, pasi që nuk ka shumë procedura burokratike: paguhen vetëm 7 euro tarifë për të rritur dhe procedurat janë të gjitha online.
Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen. Për çdo shkelje të mundshme, si punë, studime apo shkelje e afatit kohor për qëndrim në vendet evropiane, pasojnë masa ndëshkuese.
Historiku i heqjes së vizave
Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.
Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.
Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.
Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.
Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.
Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Mirëpo qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon, nuk e patën mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen.
Në raportin e vitit 2018 u konfirmua përmbushja e të gjitha kritereve. Bazuar në këtë raport, me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi më 21 mars 2018 është përmbushur edhe njëri nga dy kriteret e mbetura.
Raporti i fundit konfirmoi se Kosova vazhdon të përmbushë të gjitha kriteret e tjera të përcaktuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave në lidhje me ri-pranimin dhe ri-integrimin, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe menaxhimin e kufijve, rendin dhe sigurinë publike dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.
Qeveria e Kosovës me 12 gusht 2022 ka dërguar një raport të përditësuar teknik tek Komisioni Evropian me theks në arritjet në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionin e krimit të organizuar, riatdhesimin, menaxhimin e azilit e migrimit. Pas vlerësimit pozitiv të këtij përditësimi presidenca Çeke e ka vendosur në agjendën e Këshillit në grupin punues të vizave, duke e zhbllokuar procesin i cili kishte ngelur i bllokuar për 4 vite. /KALLXO.com/