Në vitin 1921, Fan Noli, si delegati i parë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, protestoi kundër pushtimeve dhe bombardimeve serbe në territoret shqiptare.
Në një deklaratë për gazetën franceze “Le Petit Parisien”, ai paralajmëronte se ushtria serbe po përfitonte nga pavendosmëria e fuqive europiane për të zgjeruar kontrollin në trojet shqiptare.
Fan Noli theksonte se pushtimi i zonës së Lurës kishte rëndësi strategjike për kërcënimin e Tiranës dhe Mirditës, ndërsa akuzonte Serbinë për organizimin e bandave të armatosura dhe sulme ndaj fshatrave shqiptare.
Ai kërkonte ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve, duke e cilësuar agresionin serb si një sfidë ndaj paqes dhe ndaj vetë institucioneve ndërkombëtare.



