Visar Ademi: Rezultate alarmante për transparencën në Gostivar

Komuna e Gostivarit është renditur në vendin e 91-të nga gjithsej 101 institucione shtetërore në raportin më të fundit të Indeksit të Transparencës Aktive për vitin 2025. Me vetëm 58.6%, kjo përbën një rënie të ndjeshme prej -10 pikë përqindje brenda një viti – një nga rëniet më të mëdha në nivel republikan.

Kandidat i pavarur për kryetar komune, Visar Ademi, në një deklaratë për mediat, e quajti këtë situatë “alarmante” dhe dëshmi të qartë për mungesën e qeverisjes së hapur, mungesën e përgjegjësisë publike dhe shpërfilljen e qytetarëve nga pushteti lokal aktual.

“Ndërsa komuna si Bërvenica (94.2%) dhe Tetova (81.4%) tregojnë se transparenca është e mundur kur ka menaxhim të përgjegjshëm, Gostivari ndodhet pranë fundit të listës – në një nivel me Bogovinën dhe Vrapçishtin,” theksoi Ademi.

Ai shtoi se raporti nuk është thjesht një statistikë teknike, por një pasqyrë e gjendjes reale që qytetarët e përjetojnë çdo ditë:

Vendime të fshehta dhe mungesë informacioni,

Buxhet jo-transparent dhe pa kontroll publik,

Menaxhim i dobët i resurseve të përbashkëta.

Në mënyrë të veçantë, Ademi iu referua të dhënave zyrtare nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ku thuhet se kryetari aktual i Komunës së Gostivarit nuk ka dorëzuar deklaratën e gjendjes financiare, e njohur si Lista Anketuese – një detyrim ligjor për çdo funksionar publik.

“Pse kryetari në detyrë nuk ka dorëzuar deklaratën siç e kërkon ligji? Çfarë ka për të fshehur? Kjo është pyetja që qytetarët meritojnë t’i përgjigjet publikisht,” shtoi Ademi.

Një mision për Gostivarin: Transparencë, pastërti dhe siguri

Visar Ademi, i cili garon si kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, tha se është koha për t’i dhënë fund një cikli të qeverisjes jo-transparente dhe të papërgjegjshme. Ai paraqiti vizionin e tij për një Gostivar të pastër dhe të ndershëm, duke theksuar tri prioritete kyçe:

Luftë kundër korrupsionit – për një administratë me integritet dhe llogaridhënie.

Zgjidhje për menaxhimin e mbeturinave – për një qytet të pastër dhe të shëndetshëm.

Zgjidhje për qentë endacakë – për një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët.

“Transparenca dhe pastërtia janë themeli i çdo pushteti që do të respektojë qytetarët. Pa këto vlera, nuk ka zhvillim, nuk ka përparim, nuk ka mirëqenie,” tha Ademi.

Thirrje për ndryshim më 19 tetor

Në fund të deklaratës, Visar Ademi ftoi qytetarët që më 19 tetor të zgjedhin një rrugë tjetër:

Një komunë të hapur dhe të ndershme,

Një administratë që i shërben interesit publik,

Një Gostivar të pastruar nga korrupsioni, mbeturinat dhe frika nga qentë endacakë.

“Ky është angazhimi im si kandidat i pavarur: të ndërtojmë së bashku një Gostivar që e meriton çdo qytetar – të pastër, të sigurt dhe me llogaridhënie të plotë,” përfundoi ai.