Virusi, rritet numri i të shtruarve në spitale

Edhe pse vendi ka filluar me vaksinim masiv, numri i të infektuarve me Covid-19 çdo ditë shënon rritje. Vetëm në 24 orët e fundit në qendrat covid në Shkup për shkak të ndërlikimeve nga virusi janë shtruar 73 pacientë të rinj. Ndërkaq numri i përgjithshëm i pacientëve pozitiv dhe të dyshuar se kanë virus, të cilët trajtohen në klinikat infektive është 1,687. Aktualisht rreth 340 shtretër janë të zbrazët në qendrat kovid. Në punktet e vaksinimit deri më tani janë vaksinuar mbi 18.000 qytetarë. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe paralajmëroi se gjatë muajit priten të mbërrijnë rreth 300.000 doza vaksinash. Filipçe gjithashtu tha se gjatë javës së ardhshme pritet të vaksinohen punonjësit e prokurorisë, gjykatave, shërbimeve të inspektimit dhe punonjësit mediatik. Ndërkohë VMRO DPMNE protestoi para Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar dorëheqjen e Venko Filipçes.

“Paaftësia juaj për të menaxhuar rrezikon shëndetin e qytetarëve të zakonshëm, kështu që sot në Maqedoni kemi një vdekshmëri rekord prej 4,150 njerëz si rezultat i kovidit. Sipas raportit të djeshëm të Economist, Maqedonia renditet e treta në botë për vdekshmëri. Jemi më keq se Italia. Ministër, ju po shkelni nenin 6 me të cilin kujdesi shëndetësor duhet të jetë i arritshëm gjeografikisht, fizikisht dhe ekonomikisht. Epo, ministër, spitalet e përgjithshme në të gjithë Maqedoninë janë plot, ata nuk kanë pajisje themelore mjekësore.”

Menjëherë pas protestës së partisë opozitare reagoi Ministria e Shëndetësisë, e cila konsideron se VMRO DPMNE nuk mund ta pranojë faktin se vaksinimi po zhvillohet pa problem.

“VMRO DPMNE-ja nuk mund të pranojë faktin e organizimit të përsosur të imunizimit masiv në arenën A1 në “Boris Trajkovski”. VMRO DPMNE-së iu pengojnë fytyrat e qeshura të qytetarëve pas vaksinimit, opozitës iu pengojnë komentet pozitive të qytetarëve që morën vaksinën. VMRO DPMNE-ja në kohë të pandemisë bënë vetëm dëm”.

Ministria e Shëndetësisë akuzoi VMRO DPMNE-në se në kohën e masave kufizuese, vendosin të grupohen dhe të protestojnë.

Alsat