Virusi, rreth 1700 persona nëpër spitale

Edhe pas shtrëngimit të masave numri i të infektuarve sërish mbetet i lartë, në qendrat Kovid në tërë vendin aktualisht janë duke u mjekuar 1699 persona, ndërkohë aktualisht ka 340 shtretër të lirë. Numër më i madh të personave që janë duke u trajtuar nëpër spitale është regjistruar në Prilep ku aktualisht janë të shtrirë 127 persona, 124 pacientë në spitalin e Manastirit, 116 në Kumanovë, 100 në spitalin e Ohrit, nga 97 të infektuar po trajtohen në spitalet e Velesit dhe Strumicës. Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se të gjitha repartet e spitaleve klinike posedojnë shtretër të lirë dhe nëse është e nevojshme repartet do të zgjerohen më tej. Ndërkohë në arenën A1 në qendrën sportive “Boris Trajkovski” po vazhdon imunizimi i qytetarëve. Pas vaksinimit të ushtrisë, policisë, mësuesve dhe edukatoreve në çerdhe, si kategori e rrezikuar nga COVID -19 të hënën do të vaksinohen gazetarët dhe punonjësit mediatik të moshës mbi 40 vjeçare dhe ata me sëmundje kronike. Në këtë grup parashihet të vaksinohen rreth 631 persona.